ATSH/ Në bregdetin e Dhërmiut vijojnë ditët e “Kala Festival”, ku të rinj shqiptarë e të huaj po shijojnë rivierën shqiptare.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga ky festival, i cili përveç atmosferës për adhuruesit e muzikës elektronike, është edhe një promovim i mirë për turizmin e Shqipërisë.

Rama tha se “vijojnë ditët e “Kala Festival” rikthyer edhe këtë vit në Dhërmi, me mbi 3000 pjesëmarrës në javë, nga Britania e Madhe dhe vende të tjera europiane, si miksimi i përkryer për promovimin e bregdetit, zhvillimin e ekonomisë lokale, konsolidimin e festivaleve dhe nisjen e sezonit veror më herët se çdo vit”.

Në portin e Himarës në ditët e para të qershorit mbërritën një numër i lartë të rinjsh nga vende të ndryshme, për të marrë pjesë në “Kala Festival”.

Përgjatë ditëve në festival marrin pjesë edhe DJ të famshëm ndërkombëtarë. Një tjetër qëllim i organizimit të këtij festivali në Shqipëri është edhe promovimi i turizmit dhe kulturës shqiptare në botë, ku gjatë ditëve të tij po zhvillohen ekskursione ditore për të eksploruar mrekullitë natyrore të Rivierës shqiptare.