Shëtitorja “Naim Frashëri” në qytetin e Sarandës ka marrë tashmë një pamje të re me infrastrukturë moderne, e cila është plotësuar edhe me vepra arti.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale foto nga kjo shëtitore, ndërsa veçoi veprat e artit të vendosura përgjatë saj.

“Me këtë copëz arti buzë shëtitores së rilindur të qytetit të Sarandës, ju uroj një fundjavë të mbarë”, u shpreh ai.
Investimet e kryera në shëtitoren e këtij qyteti bënë një transformim thelbësor të bregut të qytetit mikpritës. Me transformimin e shëtitores kanë fituar shumë edhe bizneset, pasi është rritur shumë vlera e pronës.

Shëtitorja “Naim Frashëri” është një hapësirë publike shumëfunksionale dhe në shërbim të banorëve e pushuesve gjatë sezonit turistik.

Në shëtitore mbizotërojnë elementë që e ruajnë identitetin e qytetit, si për shembull porta hyrëse e Onhezmit, skulptura të realizuara nga artistë lokalë, sheshi i shatërvanit, pemët ekzistuese dhe zonat e gjelbra, pishina e hapur, etj.atsh