TIRANË, 10 qershor/ATSH/ Kryetari i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, e cilësoi sot nisjen e procesit të regjistrimit të pronave të bregdetit të jugut si shumë të mirëpritur nga qytetarët , ndërsa sipas tij “në këtë proces përfitojnë rreth 18 mijë banorë, 8 mijë që janë rezidentë dhe rreth 10 mijë që jetojnë jashtë vendit”.
Në një prononcim për ATSH-në, Goro tha se “janë bërë disa tentativa të mëparshme që dështuan dhe nuk shkuan deri në fund dhe qytetarët nuk kanë qenë optimist se kjo do të përfundojë. Por megjithatë dita ditës rritet numri i qytetarëve që bashkëpunojnë me punonjësit e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për të dorëzuar dokumentacion për shtëpitë, tokat apo ndërtimet pa leje”.
“Nga ky proces përfitojnë rreth 18 mijë banorë të përhershëm, por edhe ata që janë një emigracion në vijën bregdetare Palasë-Nivicë, dhe rreth 5 mijë familje per mbi 22 mijë prona, ku një pjesë e konsiderueshme 6-7 mijë prona janë shtetërore të tjerat janë prova private”, – nënvizoi Goro.
Duke e konsideruar një proces të vështirë, Goro tha se “duhet të përfundojë në favor të qytetareve sepse kështu do të dimë edhe ne si bashki se çfarë bëhet me pronat, nuk do të kemi konflikte gjatë situatave që ne mund të bëjmë ndërtime , siç ndodhi në vitet e mëparshme me qendrën e qytetit, ku nuk nuk dihej kush ishin pronarët”.
Ndërsa tani, vijoi ai, do të dihet kush janë pronarët dhe ne do të bëjmë projekte dhe do jemi në kohë për shpronësimin e tyre atje ku duhet.
I pyetur nëse ky proces do ketë problematika, Goro tha për ATSH se “për mua është e rëndësishme të jetë një proces transparent dhe të mos ketë probleme në menaxhimin e dokumentacionit që kanë qytetarët. Pra, të mblidhet i gjithë dokumentacioni. Ne mendojmë që mund të ketë problematika se ka qenë një proces i pa azhornuar për 30 vjet dhe i pahedhur në regjistrat kadastralë”.
“Shpresojmë të mos kemi shumë konflikte dhe shumë probleme dhe t’u jepet mundësi qytetarëve që atë pronë që kanë, ta për përdorin për investime apo për çfarëdo tjetër”, – tha Goro për ATSH.
ATSH