ATSH/- Për individët të cilët kanë vonesë në regjistrimin e kalimit në pronësi të automjeteve të blera shtyhet afati i aplikimit të gjobës deri në 40 mijë lekë që parashikohet në Kodin Rrugor.

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor njoftoi se për shkak të situatës së pandemisë COVID-19, aplikimi i gjobës që parashikohet nga Kodi Rrugor për blerësin në masën 10, 000 – 40,000 lekë, sipas vonesës, ndaj çdo regjistrimi të vonuar kalimi pronësie, do të shtyhet si afat deri në një njoftim të dytë.

Ndërkohë, për gjithë ata që planifikojnë shitjen-blerjen, DPSHTRR ofron shërbimin e lehtësuar të kalimit të pronësisë së mjetit direkt në sportelet tona – 1 Stop Shop kundrejt tarifës prej 1,400 lekë.

DPSHTRR informon qytetarët se sipas Kodit Rrugor, nëse keni shitur një mjet dhe vijon të mbetet në emrin tuaj ndërsa e përdor blerësi, ky mjet mund t’ju ngarkojë me detyrime nëse blerësi nuk paguan taksat, nëse nuk paguan gjobat brenda apo jashtë vendit.

Po ashtu nëse keni blerë një mjet dhe nuk e keni kaluar në emrin tuaj, ky mjet mund t’ju bllokohet apo konfiskohet nëse shitësi ka detyrime ose debi ndaj të tretëve./a.gjonaj/ /a.g/