ATSH-Bledi Naska/ Në listën e monumenteve që DRTK Tiranë administron, ka disa ura që kryesisht ndodhen në rrugën e karvaneve që lidhte Krujën me Dibrën.

Me kalimin e kohës këto objekte të cilat konsiderohen si të rëndësishme pasi janë “Monumente Kulture të kategorisë së parë”, kanë pasur nevojë për ndërhyrje.

Një ndër këto objekte që kishin nevojë urgjente për ndërhyrje ishte edhe “Ura e Abdyl Agës”.

Ky projekt u hartua kohët e fundit nga specialistët e DRTK Tiranë, miratuar nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale.

Tashmë ky monument kulture është në një gjendje shumë të mirë pas ndërhyrjes dhe zbatimit të restaurimit ku u punua me shumë kujdes dhe përkushtim nga specialistët për të ndërhyrë në çmontim mur guri në zonat e dëmtuara, pastrim mekanik i qemerit të gurit nga kalcifikimet dhe përgatitja për fugatim të sipërfaqes, restaurim dhe plotësim i murit të gurit tek të dy shpatullat e urës, plotësim murature e hequr nga ndërhyrjet klandestine, konsolidim strukturor i muraturës prej guri, fugatim në qemere guri si dhe restaurim kalldrëmi.

Ky objekt i rëndësishëm ndodhet në Grykën e Shkallës së Zezës në Krujë ndërmjet fshatrave Barkanesh e Cudhi të malësisë së Krujës. Sot ajo lidh fshatrat e Ranxës (Barkanesh, Këlcunjë, Buronjë, Kukaj, Mukaj, Rradhesh, Herraj) me malësinë e Krujës (Cudhi Bruz, Ranxë etj). Nën të kalon lumi i Zezës, i cili pasi kalon Fushë Krujën i drejtohet ultësirës bregdetare.

Në mesjetë ura e Abdyl Agës i shërbente rrugës së karvaneve që lidhte Shkodrën me Lezhën dhe Dibrën, nëpërmjet malësisë së Tiranës dhe asaj të Matit. Sipas burimeve të vendit ndërtimi i urës rezulton rreth viteve 1810-1820. Në ndërtimin e urës është përdorur gurë gëlqeror i malit pranë. Ngjitur me urën ruhen gjurmë kalldrëmesh mesjetarë të kohëve të ndryshme.

Sikurse shumë objekte të tjera të veçanta edhe ky objekt tashmë pret të vizitohet nga turistët vendas dhe të huaj pasi konsiderohet një atraksion turistik.