ATSH/ Bashkia e Tiranës rikthen traditën e Natës së Bardhë. Pas dy vitesh të vështira për shkak të tërmetit të 26 Nëntorit 2019 dhe pandemisë që mbylli botën mbarë gjatë vitit 2020, kryeqyteti shqiptar rikthen një prej mbrëmjeve më magjike në këtë pragfestash kombëtare.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili zbulon se këtë vit festa e 29 Nëntorit do të ketë 6 lokacione, duke i rikthyer kryeqytetit gjallërinë e natës së munguar përgjatë dy viteve.

“Tradita vazhdon. Më 29 Nëntor, Nata e Bardhë: 6 lokacione, 6 aktivitete,” shprehet Veliaj, duke risjellë në vëmendje edhe faktin se Tirana në pritje të vitit të ardhshëm kur do jetë dhe Kryeqyteti Evropian i Rinisë po hapet gjithnjë e më tepër.

Sheshi “Skënderbej”, rruga “Pjetër Bogdani” në zonën e ish-Bllokut, rruga “Mustafa Matohiti”, “Reja”, sheshi “Italia” dhe ish-parku “Rinia” janë zonat ku janë planifikuar aktivitetet dhe koncertet festive, ku nuk do të mungojnë surprizat dhe organizimet për fëmijët këtë vit në Tiranën e Bardhë.

/a.a/r.e/