ATSH/ Kryeministri Edi Rama vizitoi sot kantieret e rindërtimit të shtëpive individuale në Xhafzotaj të Shijakut, ku pa nga afër ecurinë e punimeve për ndërtimin e banesave që do të dorëzohen brenda muajit tetor.
“Rindërtimi vazhdon. Shijak, Xhafzotaj, ku mbi 500 banesa po marrin formë dita-ditës për familjet që do të rikthehen në shtëpi të reja, të cilat s’kanë krahasim me ato që humbën nëntorin e shkuar. Qentë le të lehin karvani do të ecë më shpejt përpara”, tha Rama.
Kryeministri vlerësoi se bashkia e Shijakut është modeli më i mirë i gjithë kësaj beteje për rindërtimin.
“Jo të gjitha të këqijat vijnë vetëm për keq. Fatmirësisht ishte një e keqe e madhe për ju dhe për pjesën më të madhe të familjeve, tani hoqët keq në këtë fazë, por në fund të tetorit do e keni shtëpinë më të mirë, më të fortë dhe më të bukur”, iu drejtua Rama banorit.
Kryeministri theksoi se “çdo krizë ka të keqen e vetë, por është edhe një mundësi”.
“Kjo ishte mundësia për ta kapërcyer krizën duke dalë më të fortë dhe më mirë. Unë e kam thënë që në fillim që do dalim më të fortë nga kjo krizë dhe faktikisht të gjitha familjet që tani janë duke hyrë në shtëpi apo edhe pak do hyjnë në shtëpi nga rindërtimi, faktikisht janë më të forta në kuptimin e shtëpisë edhe të pasurisë që ka një vlerë më të madhe se sa kishte”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “atë që ndodhi nuk e ndalonim dot, por këtë që po bëjmë kemi në dorë ta bëjmë dhe do ta bëjmë deri në fund”.
“Faktikisht në Shijak një meritë e veçantë është e kryetarit të Bashkisë që është një surprizë për mua nga pikëpamja e përkushtimit të madh edhe aftësisë dhe menaxhimit të gjithë këtyre andrallave që ndodhën. Edhe FSHZH po bën një punë shumë të mirë. Jemi mirë domethënë nga pikëpamja e forcave në terren’, tani duhet t’i mbarojmë shtëpitë”, tha Rama.
Kryetari i bashkisë Shijak Elton Arbana informoi se “në këtë bashki është përfunduar po ashtu edhe 80% e punës për rikonstruksionin e pallateve”. /m.m//a.a/