ATSH-Maela Marini/ Projekti për rindërtimin në Bubq, do t’i japë një zhvillim tërësor zonës, duke krijuar një qendër të re urbane.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, njëkohësisht deputete e kësaj zone prezantoi sot projektin për rindërtimin e Bubqit, pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.

Bashkë me kryeministri Edi Rama dhe ministrin e Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, ministrja Margariti prezantoi në terren projektin e rindërtimit, ku përfshihen jo vetëm banesat individuale por edhe gjithë infrastruktura tjetër për krijimin e një qendre të re urbane.

Rindërtimi në Bubq zgjidh problemin e strehimit për 250 banorë.

“Banesat individuale janë tashmë të rikonfirmuara 1+1, 2+1 dhe 3+1 sipas modeleve që kemi parë gjerësisht. Kemi pjesën e banesave kolektive 3-katëshe ku 45 banesa. Numri i ndarë i banesave individuale janë 15 banesa 1+1, 21 banesa 2+1 dhe 9 banesa 3+1”, tha Ministrja Margariti.

Ajo theksoi se “pjesa në hyrje të Bubqit kthehet në një pol administrativ me pjesën e Policisë, Postës , Qendrës Shëndetësore dhe në anën tjetër do të kemi pjesën e tregut, të shërbimeve dhe godinave që aktualisht shërbejnë për shërbimet ndaj komunitetit”.

Qendra e re administrative, sipas saj, përfshin pjesën e tregut për produkte lokale dhe një pjesë njëkatëshe në funksion të shërbimeve. “Në pjesën e sipërme kemi shkollën, e cila është e integruar e gjitha me hapësira të përbashkëta që lidhin qendrën administrative me qendrën e shkollës, e cila kthehet në qendër komunitare dhe i shtohet edhe shkolla 9-vjeçare”, tha Ministrja.

Margariti tha se krijohet një shesh i madh multifunksional që ka si aspektin mësimor edhe atë të tregut për t’i dhënë gjithë gjallërinë zonës.

“Në dy skajet e këtij sheshi kemi banesat kolektive. Do të kemi një park të madh qendror gati 8 ha që rikuperohet me shkallare amfiteatri dhe kthehet në një qendër rekreacioni edhe për fëmijët. Në këtë zonë krijojmë një qendër të re urbane, ndaj kemi krijuar më shumë hapësira rekreacionale. Po ashtu, bëhet lidhja e këtij parku të madh të gjelbër me pjesën e banesave individuale. Është parcelë me funksion bujqësor ndaj është përzgjedhur edhe për faktin e një kostoje më të vogël shpronësimi. Krijojmë këtë zemrën e re rezidenciale ku arrijmë dhe akomodojmë strehimin jo vetëm të banorëve të zonës, por edhe për të krijuar modelin që banorët që vijnë këtu ruajnë parcelën bujqësore më lart”, tha ajo. /a.g/