ATSH/ Banka e Shqipërisë ka përgatitur një projekt-rregullore për licencimin e institucioneve të pagesave, institucioneve të parasë elektronike, si dhe për regjistrimin e ofruesve të shërbimeve të pagesave.

Sipas kësaj projekt- rregullore, për institucionet e parasë elektronike kapitali minimal i kërkuar do të jetë 45 milionë lekë.

Banka e Shqipërisë ka të drejtë të kërkojë sqarime dhe të bëjë verifikime të mëtejshme lidhur me burimet e krijimit të fondeve që do të shërbejnë si kapital fillestar minimal ose si shtesë e mëvonshme e tij. Në rast se Banka e Shqipërisë konstaton shkelje, pezullon procedurën e licencimit.

Afati i licencimit (ose refuzimit) i parashikuar në rregullore do të jetë tre muaj nga data e pranimit të kërkesës.

“Institucionet aktuale të licencuara për shërbimet e pagesave do të kenë kohë deri në 2 korrik 2022 për të organizuar veprimtarinë dhe strukturat e tyre në përputhje me kërkesat e kësaj rregulloreje dhe të ligjit “Për shërbimet e pagesave””, njofton BSH-ja.