TIRANË, 22 qershor /ATSH – I. Vata/- Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit në bashkëpunim më bashkinë Konispol ka ekspozuar materiale arkivore të 150 personave dhe familjarëve të tyre me mbi 1500 vite burg dhe dhjetëra familjeve të internuara në zonën e Konispolit.

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave dhe Bashkinë Konispol ekspozoi para dy vitesh materiale arkivore të dhjetëra dosjeve të përndjekjes së Sigurimit ndaj faktorit antikomunist në jugun e vendit, shumë prej të cilave, për herë të parë.

Që atë ditë, bashkëpunimi i AIDSSH me komunitetin vendas dhe studiuesit e interesuar për përndjekjen në zonë ka vijuar sistematikisht. Dosja nr. 2223, me 3908 faqe, është vënë në dispozicion të studiuesve brenda dhe jashtë vendit.

Po ashtu, AIDSSH  ka vënë në dispozicion dosjet e familjeve Plaku, Sejko, për të cilat janë dhënë intervista dhe dëshmi në televizione shqiptare e të huaja.

“Zbardhja e të shkuarës, e fatit të rreth 150 personave dhe familjarëve të tyre me mbi 1500 vite burg dhe dhjetëra familje të internuara në zonën e Konispolit, ndaj të ashtuquajturit “grupi armiqësor çam”, është një proces që vijon për të evidentuar viktimat, të ekzekutuarit e përndjekjen në qindra dosje, disa dhjetëra mijëra dokumente e qindra mikrofilma”, shprehet AIDSSH.

 

ATSH