TIRANË, 20 qershor/ATSH/Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se në spitalin infektiv vijon të ketë shtrime të reja të personave pozitivë me COVID-19 që kanë nevojë për trajtim spitalor, përfshirë edhe moshat e reja 30-40 vjec.
Aktualisht në shërbimin infektiv po marrin shërbim 63 pacientë, 7 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 2 janë të intubuar.
Ministria e Shëndetësisë u bëri apel të gjithë qytetarëve të konfirmuar pozitivë me shenja të lehta apo asimptomatikë të respektojnë karantinën dhe të qëndrojnë të vetëizoluar. Shkelja e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezik për jetën dhe shëndetin e të tjerëve.
Që në fillim të komunikimit të së shtunës, ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale iu drejtua çdo qytetari për të treguar kujdes të shtuar në çdo ambient, në ambientet e punës apo ku ofrohen shërbime, për të respektuar masat e higjienës, distancës fizike, shmangien e kontakteve dhe vendosjen e maskave kur nuk është e mundur të ruhet distanca.
Po ashtu, një tjetër thirrje iu bë edhe bizneseve apo sipërmarrjeve duke kërkuar bashkëpunimin e tyre në kufizimin e përhapjes së COVID-19 përmes respektimit të protokolleve të sigurisë, për të ruajtur shëndetin e qytetarëve.
“Ministria e Shëndetësisë po bashkëpunon ngushtësisht me Policinë e Shtetit për të mos lejuar thyerjen e karantines .E vetmja mënyrë për të ndaluar përhapjen e infeksionit është duke ruajtur distancën fizike prej 1.5 metër nga njëri tjetri, duke ruajtur higjienën personale dhe duke larë duart vazhdimisht, mbani maskat kudo ku ambienti është i mbyllur.Shmangni çdo lloj grumbullimi, pasi janë rrezik për përhapjen e infeksionit.
Familjarët e pacientëve në spitale të shmangin sa më shumë vizitat, të moshuarit kur është e mundur të shmangin kontaktet në qendrat shëndetësore, por të kontaktojnë me mjekun e familjes për barnat me rimbursim. Nëse keni shenja klinike, nëse dyshoni se jeni i prekur me COVID-19, qëndroni te izoluar dhe telefononi Urgjencën Kombëtare në numrin 127”, tha Flutura Beqo, eksperte pranë ministrisë së Shëndetësisë.
ATSH