Zbulohen 27 sera me rreth 8 mijë fidanë kanabis në Shkodër. Policia ka vënë në pranga 52-vjeçarin, dhe ka proceduar penalisht Drejtorin e Shërbimit pyjor në Malësi të Madhe, specialistin dhe hidraulikun e Ujësjellësit.

Komisariati i Policisë në Malësi të Madhe, në bashkëpunim me strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, zhvilluan megaoperacionin policor antikanabis të koduar “Krateri”, ku zbuluan 27 serat brenda së cilave u gjetën 8 000 fidanë të dyshuar narkotikë kanabis, në proces për t’u kultivuar në tokë.

Policia sqaron se “është arrestuar shtetasi N. D. alias E. V., 52 vjeç, banues në Bajzë, Malësi e Madhe, si organizator i dyshuar i kësaj veprimtarie kriminale.

Po në vijim të veprimeve hetimore, ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasit Gj. Gj., 61 vjeç, me detyrë Drejtor i Shërbimit Pyjor në bashkinë Malësi e Madhe; R. Gj., 41 vjeç, me detyrë specialist i Ujësjellësit në bashkinë Malësi e Madhe (i cili mbulon zonën ku janë gjetur fidanët narkotikë) dhe A. H., 36 vjeç, me detyrë hidraulik i Ujësjellësit në bashkinë Malësi e Madhe (i cili mbulon zonën ku janë gjetur fidanët narkotikë)”.

Grupi hetimor, ka sekuestruar prova të vlefshme që do t’i shërbejnë hetimit, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale.

/rtsh.al/