Sindroma Kawasaki, e cila prek fëmijët që kanë kaluar koronavirusin u shfaq pak kohë më parë në vendet Evropiane dhe Shtetet e Bashkuara. Serbia ka konfirmuar rastet e para me këtë sindromë.

Në Institutin për Nëna dhe Fëmijë, aktualisht janë shtruar dy pacientë me sindromën Kawasaki të cilët po kurohen me sukses. Sipas burimeve të Sputnik, të dy pacientët kishin kaluar koronavirus, por testi rezultoi pozitiv në njërin dhe negativ për tjetrin pasi kishte krijuar anti-trupa. Të dy pacientët janë më të mëdhenj se 5 vjeç dhe kishin shfaqur vetëm disa nga simptomat.

Sipas fjalëve të drejtuesit të pulmonologjisë në Institutin për Nënën dhe Fëmijën, Predrag Minic, shfaqja e sindromës Kawasaki u bë atipike me epideminë e koronavirusit.

Drejtuesja e kardiologjisë në Klinikën Universitare të Fëmijëve, Ida Jovanoviç është shprehur për Sputnik: Në çdo rast, prindërit nuk duhet të shqetësohen, sepse edhe nëse fëmijët e tyre preken nga kjo sindromë, është e shërueshme nëse zbulohet në kohë. Prindërit duhet të telefonojnë mjekun në momentin kur ata mendojnë se fëmija ka ethe dhe skuqje të ndryshme të lëkurës që janë karakteristike të Kawasaki.

Jovanoviç shton se arsyeja e shfaqjes së kësaj sindrome nuk është imuniteti i dobësuar, por një reagim imunitar që është individual, dhe thotë se mund të ndodhë edhe tek fëmijët që janë plotësisht të shëndetshëm, dhe pasi kalojnë një infeksion, shfaqet ky fenomen./Burimi: B92/