ATSH/ Ekipi i Tiranës do të përballet të martën në mbrëmje me ekipin serb Crvena Zvezda në stadiumin “Air Albania”.

Trajneri i Tiranës, Emanuel Egbo tha sot pasdite gjatë një konference për gazetarët se, “do të japim maksimumin, do të marrim rezultatin që na takon në fushë. Varet nga ne, nëse futemi dhe japim maksimumin. Çdo gjë është e mundur. Ne gjithmonë do të japim 100% dhe do të besojmë deri në fund se çdo gjë mund të ndodhë”.

Egbo u shpreh se, “ekipi serb është me shumë vlerë, por duke qenë me një ndeshje gjithçka mund të ndodhë. Është ekip agresiv, që di të lozë futboll, me kualitete. Ne i dimë pikat e forta dhe të dobëta. Kundërshtari di të sulmojë me shumë opsione”.

Një konference për mediat dha edhe trajneri serb i Cervena Zvezdës, Dejan Stankovic ku u shpreh se, “fakti që është një ndeshje ka ndikim. Ne kemi studiuar kundërshtarin, përgatitemi emocionalisht. Mendoj që di mjaftueshëm për Tiranën. Është ekip i ri i organizuar. Kundërshtar i denjë shumë i mirë. Ne jemi përgatitur për çdo lloj skenari në fushën e lojës” .

Kjo ndeshje është e vlefshme për Champions League.

Gjithashtu Policia e Tiranës ka marrë masa të shtuara për mbarëvajtjen e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të ndeshjes. Këto masa janë marrë duke synuar jo vetëm mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv, por dhe moslejimin e grumbullimit të tifozëve, si masë parandaluese për përhapjen e infeksionit COVID-19.