ATSH-DPA/ – Udhëheqësit demokratë në Kongresin amerikan i dërguan një letër drejtorit të agjencisë federale të hetimeve, FBI duke i kërkuar informacion për marrjen e masave mbrojtëse kundër ndërhyrjeve në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, mes shqetësimeve në rritje për këto lloj ndërhyrjesh.
“Ne jemi të shqetësuar, seriozisht të shqetësuar… që Kongresi mund të jetë shënjestra e një fushate të ndërhyrjeve të huaja në mënyrë që të ndikojnë në veprimtarinë e tij, në debatin publik dhe zgjedhjet presidenciale të nëntorit”, theksuan demokratët në letër.
Letra, drejtuar shefit të FBI-së, Christopher Wray, është e datës 13 korrik dhe është nënshkruar nga demokratët më aktivë të Kongresit amerikan, përfshirë presidenten e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi dhe Chuck Schumer, lider i demokratëve në Senat.
Demokratët kërkuan që FBI të jepte informacione para pushimeve të gushtit dhe sa më shpejt të ishte e mundur./ /os/