VARSHAVË, 23 qershor /ATSH-PAP/ – Presidenti polak Andrzej Duda, pas bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë me presidentin amerikan Donald Trump, deklaroi se nuk ka absolutisht asnjë plan që amerikanët të dërgojnë armët e tyre bërthamore në Poloni dhe se çështja e armëve bërthamore nuk është diskutuar kurrë në bisedimet mes dy presidentëve.

Gjatë një seance pyetjeje dhe përgjigjesh në Facebook, presidenti polak u pyet nëse SHBA-ja do të dërgonte armët e saj bërthamore në Poloni.

Duda iu përgjigj se “nuk kishte absolutisht plane të tilla”.

“Tema e armëve bërthamore nuk ka qenë kurrë objekt i bisedimeve të mia me presidentin e SHBA Donald Trump, as më parë dhe as tani”, shtoi ai.

Presidenti Andrzej Duda vizitoi Shtëpinë e Bardhë, dhe pas takimit me Trump, u zhvilluan bisedime edhe midis delegacioneve.

ATSH