ATSH-AA/ – Sipas presidenti amerikan, Donald Trump, SHBA-ja duhet të kthejë trupat e saj nga Afganistani para përfundimit të vitit 2020.

“Ne duhet të kthejmë trupat tona që shërbejnë në Afganistan deri për Krishtlindje”, shkroi Trump në Twitter.

Reagimi i tij erdhi disa orë pasi këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Robert O’Brien, tha se Uashingtoni do të zvogëlojë forcat e tij në Afganistan në 2 500 në fillim të vitit 2021.

“Kur presidenti Trump mori detyrën, kanë qenë mbi 10 mijë trupa amerikane në Afganistan. Deri më sot, ka nën 5 000 dhe kjo do të shkojë në 2 500 deri në fillim të vitit të ardhshëm”, theksoi O’Brien gjatë komenteve publike në Universitetin e Nevadas.

Trump është shprehur vazhdimisht se dëshiron të tërheqë ushtrinë amerikane nga vendi i shkatërruar nga lufta.

Bisedimet historike midis udhëheqësve afganë dhe talebanëve filluan në kryeqytetin Doha të Katarit në shtator, pas një marrëveshjeje mes SHBA-së dhe talebanëve të arritur në shkurt për të ndaluar sulmet ofensive kundër forcave të njëri-tjetrit, në mënyrë që të lejohet hapësira për negociata.

Bisedimet synojnë të sigurojnë tërheqjen e forcave amerikane nga vendi dhe t’i japin fund konfliktit./ /ec/