ATSH-Maela Marini/ “Shengeni rajonal mbetet një program ku shqiptarët këtej dhe andej kufirit duhet të shohin bashkërisht interesin e tyre strategjik”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, Kryeministri Rama kërkoi që të përparohet më shpejt në gjithë procesin e kohezionit strategjik, lidhur me jetën e përditshme të njerëzve dhe me lëvizjen e përditshme të mallrave, shërbimeve e kapitaleve”.

“Shengeni rajonal mbetet në këndvështrimin tim një program ku shqiptarët këtej dhe andej kufirit duhet të shohin bashkërisht interesin e tyre strategjik. Besoj se është e qartë, në rast se ne futemi bashkërisht në kornizën e Shengenit rajonal askush nuk na pengon që në një kohë të shpejt të hapim kufirin për lëvizjen e lirë të njerëzve pa asnjë kontroll. Ajo që thashë për doganën, do të vlejë për njerëzit në qarkullimin mes Kosovës e Shqipërisë. Ministritë e Brendshme të dy vendeve kanë punuar për të krijuar bazën e përbashkët të të dhënave lidhur me perimetrin e sigurisë dhe hyrje-daljen në të gjitha pikat hyrëse e dalëse të njerëzve në Shqipëri dhe Kosovë”, tha Rama.

Rama tha se “padiskutim ne mbetemi në krah të Kosovës”. “Pa diskutim qeveria e Shqipërisë dhe unë personalisht jo vetëm që kemi mbështetur, por do të mbështesim edhe më fort çdo moment Kosovën, duke respektuar dhe duke u vendosur në dispozicion të autoriteteve legjitime të Kosovës dhe autoriteteve që kanë përgjegjësinë të marrin vendime për Kosovën. Ne nuk marrim vendime për Kosovën, ne nuk flasim në emër të Kosovës, ne flasim për Kosovën dhe harmonizimi i punës sonë është domosdoshmëri”, tha Rama. /a.g/