/ATSH/ Policia e Tiranës, në vijim të monitorimit për zbatimin e masave kufizuese kundër COVID-19, gjatë kontrolleve të zhvilluara mbrëmjen e djeshme, pas orës 17:30, fashë orare e përcaktuar për ndalim lëvizjeje pa autorizim në zonat e kuqe, ka konstatuar në harkun kohor 20:00 – 24:00, një grup qytetarësh të grumbulluar pranë Teatrit Kombëtar.
Në zbatim të Aktit Normativ, shërbimet e Policisë kanë proceduar me masat administrative përkatëse, gjobë dhe tërheqje të lejes së drejtimit 47 shtetas.
Nisur nga shkeljet e evidentuara ditët e fundit në zonat e kuqe, Policia e Shtetit apelon edhe njëherë për të gjithë qytetarët, sidomos ata në zonat e kuqe që të respektojnë me rigorozitet oraret e lëvizjes dhe distancimin social dhe në këtë kuadër kërkon mirëkuptimin dhe ndihmën e qytetarëve në të gjithë vendin, që të kontribuojë secili në mbrojtjen e shëndetit nga kërcënimi i virusit vdekjeprurës COVID-19.
Policia e Shtetit siguron qyettarët se është angazhuar maksimalisht në zbatim të ligjit, në mbrojtje të jetës dhe të rendit publik në kushtet e jashtëzakonshme të fatkeqësisë natyrore./m.m/j.p/