ATSH/  Rreth 627 nxënës të shkollës “26 marsi” në Kavajë do të kenë ambiente dhe kushte moderne pas rikonstruksionit të saj.

Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj dhe kryetari i bashkisë së Kavajës, Redjan Krali, inspektuan sot punimet në këtë shkollë që do të ndërtohet nga fillimi pas shembjes së saj si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit.

“Në një nga 9 kantieret e infrastrukturës arsimore të Rindërtimit, e cila do të rilindë mbi gërmadhat e 26 nëntorit, si një transformim rrënjësor i hapësirave e kushteve për nxënësit e mësuesit”, – tha Rama.

Kryetari i bashkisë Kavajë, Redjan Krali, u shpreh se “shkolla 26 marsi ka 627 nxënës dhe një këshill pedagogjik prej 60 personash. Do të jetë me kushte super moderne, me palestër dhe me 8 klasa laboratori”.

Pranë saj ndodhet edhe shkolla “Fiqiri Kurti”, e cila do të ndërtohet me paratë e Komisionit Europian.

Ministri Ahmetaj tha se “është në proces tenderimi nga UNDP me paratë e Komisionit Europian, me 65 milionë euro që është paketa e madhe. Fola me kryetarin që pranë shkollës të kishte një pjesë shpronësimi në marrëveshje edhe me pronarët për ta bërë pjesë të shkollës”.

Kryeministri Rama tha se aty mund të bëhet një zonë e shkollës, që  të jetë një vend ndenjeje apo studimi.

Ahmetaj tha se duhet të ndjekim logjikën e shkollës së Vorës dhe shkollave të tjera që bëhen edhe qendra komunitare.

Kryebashkiaku Krali iu përgjigj interesit të Kryeministrit lidhur me numrin e shkollave që do të ndërtohen apo rikonstruktohen në total në Kavajë.

“Janë 9 shkolla në total dy janë në rindërtim komplet nga themelet, është konvikti i Golemit që do rindërtohet nga fillimi dhe pjesa tjetër është rikonstruksion”, – tha ai.

Inxhinieri që ndjek punimet tha se “shkolla përfundon për 6 muaj”.

Ndërsa ministri Ahmetaj theksoi se “fola me drejtuesin e firmës dhe në 26 nëntor e kanë detyrim që ne të vijmë të fusim nxënësit vetë në shkollë”.

Kryeministri Rama tha se “punimet për ndërtimin e shkollës “26 marsi” kanë ecur shumë mirë”. Ndërkohë që u interesua edhe për ndërtimin e shtëpive.

“Kemi 143 shtëpi individuale, 17 shtëpitë e para kanë mbaruar, javën tjetër do të futen brenda. Vazhdojmë me kontratat me DS1, DS2, DS3 ku njerëzit po i marrinë në postë lekët. Kemi dy zona, 7 pallate në zonën e Kavajës dhe dy në zonën e Golemit”, – tha Krali.

Inxhinieri u shpreh se “tek njëra zonë në Kavajë ka filluar puna për infrastrukturën dhe paralelisht po përgatiten edhe projektet për pallatet”.

Ahmetaj tha se zona ku bëhen pallatet është zona e bashkisë, por është një fushë shumë e mirë dhe jep mundësi edhe për zhvillim urban komunitar”.

/k.s//a.a/