Shqipëria mbetet destinacioni i preferuar për investitorët e huaj, falë mikpritjes, politikave nxitëse dhe aksesit në tregjet ndërkombëtare. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj, E shoqëruar nga kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja, vizituan  biznesin turk për mundësitë e reja dhe zgjerimin e aktivitetit gjatë periudhës së pandemisë.

“Optimal Center Sh.p.k” arriti t’i përshtatej nevojave të tregut, duke zgjeruar gamën e produkteve. Nga muaji Maj, falë pozicionimit strategjik në Shqipëri, ka nisur eksportin e produkteve të higjienës drejt tregjeve Italiane dhe përtej oqeanit në tregjet Amerikane.

Një ndër problematikat e ngritura nga biznesi ka qenë rimbursimi i TVSH-së. Për këtë ministrja Denaj tha se rimbursimi është detyrim që po ndiqet hap pas hapi nga Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Denaj u shpreh se në 2019-n kemi paguar 23.5 miliardë lekë të reja.