ATSH/ “Shqipëria ka disa kushte për të plotësuar përpara mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare me BE-në dhe reforma elektorale është një prej tyre”, deklaroi sot ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj në një intervistë për “KosovaPress”.
Cakaj shprehu bindjen se “shumë shpejt është çështje ditësh kur ne do ta mbyllim reformën elektorale”.
Lidhur me çeljen e negociatave, Cakaj tha se tanimë është formuar edhe zyrtarisht grupi negociator dhe se janë gati për të filluar këtë proces.
“Duke pasur parasysh këtë fushë të angazhimeve që kemi bërë, ne vetëm kemi akumuluar një përvojë të konsiderueshme për negocimin me Bashkimin Evropian. Tashmë kemi krijuar edhe zyrtarisht grupin negociator, i cili përbëhet prej kryenegociatorit, grupeve të punës dhe janë negociatorët që janë krerët e kapitujve kryesorë dhe kësisoj tani po punojmë edhe me Komisionin për caktimin e kornizës negociuese dhe pozicionit negociator, gjë që nënkupton që jemi saktësisht në kohë për të filluar procesin dhe kemi përgatitjet e nevojshme për të përparuar tutje në këtë proces”, thotë ai.
Cakaj tha se “nuk kemi datë, për shkak të disa faktorëve”. “E para unë dua të nënvizoj sepse ka pasur një keqkuptim të madh në publik fakti që nuk është vënë data, ka lënë hapësirë të interpretohet që realisht nuk ka filluar procesi negociator. Konferenca ndërqeveritare është e vërtetë që është kurorëzimi simbolik i fillimit të negociatave, por realisht në çfarëdo procesi negociator, ajo nuk është pikë fillimi sepse pikë fillimi është procesi i screening dhe puna që bëhet me komisionin për përcaktimin e kornizës negociouese. Pa përfundim të kësaj faze nuk mund të ketë as mbajtje të konferencës së parë ndërqeveritare. Në këtë kuptim Shqipëria ka filluar, pavarësisht faktit që nuk ka datë për konferencën në procesin negociator saktësisht, siç ka filluar çdo vend para saj. Ndërkaq arsyeja që nuk ka datë e para sepse në rastin e Shqipërisë janë disa kushte për t’u plotësuar përpara mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare dhe reforma elektorale është një prej tyre. Tashmë besoj që shumë shpejt është çështje ditësh kur ne do ta mbyllim reformën elektorale”, tha Cakaj.
Cakaj foli edhe për Samitin e Zagrebit, ku theksoi se Bashkimi Evropian ka mobilizuar një fond të konsiderueshëm për Ballkanin Perëndimor.
“Samiti është përqendruar krejtësisht tek çështja e menaxhimit të pandemisë. Vlen të theksohet që BE-ja, ka mobilizuar një fond të konsiderueshëm për Ballkanin Perëndimor në përgjithësi, qoftë në projektet për konsolidimin e sektorit shëndetësor, qoftë në projektet për rimëkëmbjen ekonomike që janë shumë të nevojshme. Prandaj Samiti i Zagrebit nuk mund të quhet se ka qenë një Samit ku tema e zgjerimit edhe është pritur të jetë qendrore dhe në këtë kuptim dështimi ose suksesi duhet të maten në raport me pritjet. Thjesht tema ka qenë tjetër, por Presidenca Kroate nuk duhet harruar se ka marrë dy vendime tepër të rëndësishme për procesin e zgjerimit, sepse është marrë vendimi pozitiv për negociatat për anëtarësim me Republikën e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”, shton ai./m.m/j.p/