ATSH-Maela Marini/-Shqipëria e shikon rolin e saj në rajon jo thjesht si një rol konstruktiv në ndërtimin e paqes dhe fuqizimin e dialogut, por edhe si rol proaktiv për rrugët e pastra të teknologjisë 5G”, deklaroi sot kryeministri Edi Rama në konferencën e përbashkët për shtyp me Nënsekretarin e Shtetit për Rritjen Ekonomike, Energjinë dhe Mjedisin, Keith Krach.
Kryeministri iu rikthye letrës shumë dashamirëse që mori nga Presidenti Trump.
“Dua të rikonfirmoj atë që kam thënë në mënyrë të përsëritur: Shqipëria e shikon rolin e saj në rajon jo thjesht si një rol konstruktiv në ndërtimin e paqes dhe fuqizimin e dialogut, por edhe si rol proaktiv për rrugët e pastra të teknologjisë 5G . Në këndvështrimin tim janë rrugët e pastra për fëmijët tanë e brezat më tej. Në asnjë mënyrë nuk mund të lejojmë që një ditë të bukur fëmijët tanë të zgjohen dhe të jetë shumë vonë. Në këtë aspekt jemi absolutisht të lumtur që nuk jemi vetëm dhe që jemi në krahun e atyre që janë miqtë tanë më besnik dhe të besueshëm dhe që shohin tek ne pikërisht atë që ne shohim te ata, partnerë të besueshëm dhe miq të mirë në ditë të vështirë”, shtoi Rama.
Kryeministri shprehu mirënjohjen ndaj SHBA-së edhe për kontributin e tyre të paçmueshëm në rajonin tonë.
“Falë SHBA-së, në radhë të parë, sot jemi në një realitet tërësisht të ndryshëm nga ai i jo shumë viteve më parë. Sot flasim për bashkëpunim dhe për paqe të qëndrueshme, të gjithë rreth një tryeze, ndërkohë që deri dje dëgjoheshin vetëm bombat, krismat dhe klithmat e vuajtjeve të shumë popullsive të ngërthyera në një konflikt të pafund”, tha Rama, gjatë nënshkrimit në Tiranë, të Memorandumit për bashkëpunim ekonomik mes Shqipërisë dhe SHBA-ve.
Kryeministri i përcolli po ashtu publikisht Presidentit Trump urimin më të sinqertë për një shërim sa më të shpejt dhe shprehu publikisht falënderimin për Presidentin Trump dhe administratën e tij, për vëmendjen e besnikërinë me të cilën SHBA e kanë shoqëruar Shqipërinë në këto vite si dhe për një pikë kyçe në historinë e këtij rajoni.
“Nënshkrimi i marrëveshjes mes Serbisë e Kosovës në Shtëpinë e Bardhë, ishte jo thjesht si konfirmim përfundimtar i i një procesi të nisur më parë për bashkëpunim e normalizim të marrëdhënieve në rrafshin e bashkëpunimit ekonomik, por edhe për shtysën e fortë që i dha një njohjeje të paimagjinueshme deri para këtij takimi nga ana e Izraelit të Kosovës, një njohje që hap një perspektivë të re në perspektiv drejt njohjes përfundimtare të Kosovës”, tha Rama. /a.g/