TIRANË, 25 qershor/ATSH/ Gjirokastra është shndërruar vitet e fundit në një prej destinacioneve më të lakmuara nga turistët vendas dhe të huaj.
Shtimi i turistëve e si rrjedhojë edhe i kapaciteteve akomoduese ka sjellë nevojën për përmirësimin e infrastrukturës urbane.
Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Menaxhimit të Mbetjeve (AKUM) informoi sot se vijojnë punimet me ritme të larta për ujësjellësin e kanalizimet në zonën historike të Gjirokastrës.
Përmes këtij investimi u sigurohet furnizim pa ndërprerje me ujë të pijshëm 9 576 banorëve ndërsa vendoset një sistem i ri kanalizimesh për 8 mijë banorë.
Investimi përshin zonat historike Palorto, Manalat, Cfake, Dunavat dhe Hamzurat, të zonës urbane të Gjirokastrës
Sipas AKUM, investimi përmbyllet në 2021 dhe do të garantojë modernizimin e sistemit të ujësjellës-kanalizimeve.
Ky investim për Gjirokastrën vjen në kuadër të Programit Infrastruktura Bashkiake, financim i Qeverisë Gjermane përmes KfW , Qeverisë Zvicerane përmes SECO dhe Qeverisë Shqiptare.
ATSH