ATSH – I. Vata/- Këshilli Politik për Reformën Zgjedhore është mbledhur sot pa opozitën jo parlamentare e cila vendosi që të bojkotojë tryezën pas nisjes së protestës lidhur me shembjen e Teatrit.

Bashkëkryetarët e Komisionit për Reformën Zgjedhore,  Damian Gjiknuri dhe Rudina Hajdari janë paraqitur në tryezën e Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore dhe pas konsultimit vendosën që mbledhja të shtyhet dhe ftohet opozita jo parlamentare në tryezë.

Pas përfundimit të mbledhjes, Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri  u shpreh për mediet se “fatkeqësisht sot mbledhja e grupit negociator nuk u zhvillua, për shkak se opozita nuk u paraqit. Ne kishim dëgjuar diçka nga mediet, por nuk kishim njoftim zyrtar, prandaj ishim të detyruar të vijmë në këtë mbledhje. Me ç’duket dhe me çfarë u komunikua, ata sot nuk do të merrnin pjesë dhe kjo është një ngjarje fatkeqe për progresin e punës së këtij këshilli”.

Gjiknuri tha se “pavarësisht ngjarjeve që zhvillohen dhe mbështetjeve të kauzave të caktuara që një parti politike zgjedh, mendoj se progresi i Reformës Zgjedhore është shumë i rëndësishëm edhe për kapitalizmin politik të çdo lloj kauze, kështu që mendoj se është në interesin e të gjitha palëve që procesi i Reformës Zgjedhore të përfundojë brenda Majit. Fatkeqësisht ky proces u ndërpre për arsye të pandemisë, tani nuk shoh ndonjë arsye serioze për tu ndërprerë, sepse është një proces neutral politik dhe nuk ka të bëjë as më qeverinë, as me opozitën ka të bëjë me rregullat e lojës, ku në fund të fundit dhe opozita dhe mazhoranca do të testohen përpara qytetarëve”.

Gjiknuri theksoi se “e vetmja thirrje që dua të bëjë është mirëpresim opozitën të ulët në tavolinën e reformës zgjedhore për të vazhduar dialogun”.

“Kështu që unë dua ta mbyll duke i bërë thirrje opozitës dhe duke shpresuar që ata të marrin vendet e tyre për të vazhduar negociatat, për të vazhduar procesin, pasi sot përshembull kishim një paketë të tërë, e cila priste miratimin tonë dhe që mund të hiqte nga tavolina e diskutimeve një sërë çështjesh shumë të rëndësishme për zgjedhjet në Shqipëri. Kështu që e vetmja thirrje që dua të bëj është që mirëpres opozitën të ulet menjëherë në tavolinën e Reformës Zgjedhore për të vazhduar dialogun dhe nuk kam ç’të flas tjetër, vetëm për këtë”, tha ai.

Nga ana e saj, Bashkëkryetarja për Reformën Zgjedhore, Rudina Handari tha se “dhe unë kam ardhur këtu me një synim të vetëm, që është ndryshimi i sistemit zgjedhor. Unë jam këtu sepse qytetarët shqiptarë duhet të jenë në gjendje të zgjedhin përfaqësuesit e vet dhe mos të bëhen peng këta kryetarë partie”.

Hajdari shtoi se “Basha duhet t’i shkojë deri në fund marrëveshjes së korrikut 2019 dhe të angazhohet deri në fund për procesin zgjedhor, ndaj kërkoj që të vijë këtu dhe të luftojmë së bashku për Reformën zgjedhore”.

“Teatri u shemb çfarë do bëjmë tani. Hajde ulemi këtu. Hajde pra këtu, zotohuni deri në fund për ata që keni thënë se do reformoni sistemin zgjedhor! Hajdeni t’i japim mundësi qytetarëve të zgjedhin vetë, hajde të ndryshojmë sistemin zgjedhor. Prandaj unë i kërkova Gjiknurit ta shtyjmë këtë mbledhje dhe në momentin që opozita jashtëparlamentare të vijë në tryezë të mirëkuptohemi me njëri-tjetrin dhe të çojmë deri në fund Reformën Zgjedhore”, tha Hajdari. /a.g/