ATSH/- Frida Krifca, drejtore e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural bën të ditur se ka pasur një interes të shtuar të fermerëve për të aplikuar në Skemën Kombëtare të mbështetjes për bujqësinë 2020, që është përtej pritshmërive, që në ditën e parë të hapjes së thirrjes.

“E hapëm thirrjen në 29 Maj për skemën kombëtare të mbështetjes në bujqësi. Aplikimet janë kryer vetëm online. Kemi marrë numrin më të lartë të aplikimeve të kryer ndonjëherë në skemën mbështetëse në ditën e parë. Numri i lartë është përtej të gjitha pritshmërive. Mësimi është që askush nuk duhet të nënvlerësojë aftësitë e fermerëve për t’u përshtatur dhe për të përdorur teknologjinë për të marrë shërbim”- shprehet Krifca.

“Jam ndjerë mirë, thotë ajo, me angazhimin institucional për të thjeshtëzuar këtë proces dhe lehtësitë e ofruara në shërbim duke dhënë ndihmesë të dedikuar nëpërmjet stafit në Agropika, për secilin fermer në vështirësi, call center me numrin jeshil, stafit të dedikuar nga helpdesk e-Albania për fermerët të cilët i falënderoj për bashkëpunimin”.
Krifca shprehet se ndihet e privilegjuar për këtë besim të shtuar të fermerëve dhe blegtorëve pasi sipas saj, interesi tyre ndaj AZHBR është rritur.
“Pas mbylljes së thirrjes, ne kemi përgjegjësinë t’i përgjigjemi me profesionalizëm, korrektesë dhe shpejtësi maksimale për të zbatuar të gjithë procedurat dhe lëvruar fondet sa më parë tek ata”, theksoi Krifca, drejtore e AZHBR-së.
Fermerët aplikojnë këtë vit në Skemën Kombëtare të mbështetjes në bujqësi 2020, për të përfitur subvencione, vetëm me kartën e identitetit dhe numrin e NIPT-it, me zero dokumente.
Skema Kombëtare me vlerë totale 6.8 milionë euro financon 7 masa:
Masa 1: Tufa bazë e matrikulluar.
Masa 2: Bletaria.
Masa 3: Financime për zëvendësim plastmasi termik.
Masa 4: Mbjellje bimësh mjekësore dhe aromatike.
Masa 5: Mbështetje për fermat organike.
Masa 6: Certifikimi Global Gap.
Masa 7: Investo në agroturizëm dhe përfito 50% financim. e.xh/j.p/