Në të njëjtën kohë, në Hemisferën Jugore ndodh dita më e shkurtër e vitit, duke shënuar fillimin e dimrit.

Termi “solstic” rrjedh nga latinishtja, nga fjalët sol (diell) dhe stitium (ndalesë), duke përshkruar momentin kur Dielli arrin pikën e tij më të lartë në qiell gjatë vitit.

Pas kësaj date, në Hemisferën Veriore ditët fillojnë gradualisht të shkurtohen deri në solsticin e dimrit në fund të dhjetorit.

Fenomeni lidhet me pjerrësinë e boshtit të Tokës gjatë lëvizjes së saj rreth Diellit.

Në solsticin e verës, pjesa veriore e planetit është e anuar më shumë drejt Diellit, duke marrë më shumë dritë dhe duke krijuar ditën më të gjatë dhe natën më të shkurtër të vitit.

Solsticet kanë pasur rëndësi të veçantë për njerëzit që nga lashtësia. Kultura të ndryshme i kanë shënuar ato me festa dhe ceremoni, ndërsa monumente si “Stonehenge” në Britaninë e Madhe janë ndërtuar në përputhje me pozicionet e Diellit gjatë solsticeve.

Ndryshe nga solstici, ekuinoksi ndodh kur boshti i Tokës nuk është i anuar as drejt Diellit dhe as larg tij.

Në ato momente, të dy hemisferat marrin pothuajse të njëjtën sasi drite, ndërsa dita dhe nata kanë pothuajse të njëjtën gjatësi.

Shkencëtarët dallojnë gjithashtu mes stinëve astronomike dhe atyre meteorologjike.

Stinët astronomike bazohen në pozicionin e Tokës ndaj Diellit, ndërsa stinët meteorologjike ndahen sipas cikleve të temperaturave, me verën që nis më 1 qershor dhe dimrin më 1 dhjetor. /Ad.Ab./