ATSH/ Qendra e artit modern e bashkëkohor në Paris “Centre Pompidou”, si dhe Piramida e Luvrit, janë tashmë dy ikona të rëndësishme të kryeqytetit francez kanë shkaktuar jo pak polemika me ndërtimin e tyre.
Ndërtimi i “Centre Pompidou” erdhi si një propozim i presidentit francez të kohës, Georges Pompidou, në vitet 1960, gjë që ngjalli jo pak debate dhe kritika, të cilat gjetën pasqyrim në mijëra artikuj, kronika e filma dokumentarë brenda dhe jashtë vendit.
Qendra e re e modern e bashkëkohor në Paris “Centre Pompidou” u ndërtua në vitet 1971-1977, dhe që ne fillim u vu në qendër të një polemike të jashtëzakonshme mes “konservatorëve” dhe “modernistëve”, pasi për ta ndërtuar atë u rrafshua një nga lagjet popullore historike të qytetit, që gjendej mes zonave të “Les Halles” dhe “Le Marais” të Parisit historik, por që po degradonte prej kohësh.
Për ndërtimin e kësaj vepre që sot është një nga legjendat e rralla të arkitekturës botërore, u zhvillua për herë të parë në Francë një konkurs i hapur ndërkombëtar, ku mes 681 projektesh u përzgjodh ai i një trioje arkitektësh me në krye italianin Renzo Piano, asokohe arkitekt i ri dhe thuajse i panjohur.
Ndonëse nisma e Presidentit të kohës Georges Pompidou u kritikua ashpër, dhe pati kundërshti nga kritikë e njerëz të ndryshëm, të cilët më pas u bënë mbrojtësit dhe mbrojtësit dhe fansat më të mëdhenj të Centre Pompidou pas ndërtimit dhe suksesit mbarëbotëror të saj.”
Kritikat më të mëdha, projekti i pati sidomos për shkak të prishjes së sallave “Baltard” të “Les Halles” ku mblidheshin artistët underground të asaj periudhe, ndërsa disa të tjerë kishin kritika për shumën që duhej për ndërtimin e projektit, pasi sipas tyre me ato fonde mund të bëheshin “100 mini-qendra kulturore jashtë Parisit”. Më 1976, një vit para inaugurimit, e përditshmja më e madhe franceze “Le Figaro” shkruante: “Vazhdon sherri mes të Vjetërve dhe Moderneve lidhur me qendrën e re kulturore në zemër të Parisit”, ndërkohë që polemikat për projektin ishin ende në kulm.
Megjithatë, që në javën e parë pas inaugurimit, më 31 janar 1977, Centre Pompidou theu rekordet e frekuentimit dhe sot është një nga ndërtesat më të vizituara dhe frekuentuara të Frances me 5 milionë vizitorë në vit, duke u kthyer kësisoj në një ndër spotet artistike më të rëndësishme të kryeqytetit botëror të kulturës.
Një tjetër pikë turistike e Parisit po kaq e frekuentuar nga turistë nga e gjithë bota është Piramida e Luvrit, ndërtimi i së cilës ngjalli po kaq polemika në vitet ‘80, të cilat u pasqyruar në mijëra faqe artikujsh apo dhjetëra orë emisionesh radiofonike e video-reportazhesh, si dhe filmash dokumentare.
Nisma për ndërtimin e Piramidës së Luvrit u ndërmor në vitin 1983 nga presidenti i asaj kohe François Mitterrand (i majtë socialist), edhe ky ashtu si Georges Pompidou, i pasionuar pas historisë, kulturës dhe letërsisë. Në vendin ku gjendet sot Piramida, ishte pjesa e quajtur “oborri i Napoleonit” dhe aty në atë kohë ndodheshin parkingjet e shëmtuara dhe disa baraka të Ministrisë se Financave e cila zinte nje nga krahet e Pallatit të Louvre-it dhe që, pas projektit të ri, u zhvendos në një ndërtesë krejt të re ku gjendet edhe sot.
Projekti i arkitektit amerikan me kineze Leoh Ming Pei ngjalli polemika e kritika të forta, madje edhe në radhët e disa personaliteteve shumë të njohura në Francë. Shumë prej tyre e cilësuar këtë projekt-ide si shumë futuriste, e disa të tjerë si “sakrilegj e mëkat kulturor”. Ndërkaq, pati edhe nga ata që e komentuar si një “kapriçio të Mitterrand-it”, apo edhe konspiracionistë përhapën idenë se presidenti francez po ndëtonte piramidën si simbol të masonerisë botërore apo të Illuminati-t, si vepër të Djallit me 666 pllakat e saj të xhamit.
E megjithatë, përtej këtyre kritikave, Piramida është sot një ndër objektet më të vizituara të Muzeut të Louvre-i dhe ndër pikat më të frekuentuara të të gjithë Parisit. Pas ndërtimit të Piramidës, e cila u inaugurua më mars të 1989, dhe rikonstruksionit të një pjese të Pallatit dhe sallave të Louvre-it, në krye të pak viteve frekuentimi i muzeut u rrit nga 3 milionë para ndërtimit të Piramidës në 8 milionë, për të mbërritur sot në mbi 10 milionë vizitore në vit. z.tosku/ /a.g/