ATSH – I. Vata/- Zëdhënësja e qeverisë, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali tha sot në seancën plenare të Kuvendit se opozita jashtëparlamentare kërkon të bëjë pazar me Reformën Zgjedhore.

Spiropali  duke iu drejtuar Rudina Hajdarit në lidhje me ndryshimin në sistemin zgjedhor dhe prishjen e Teatrit Kombëtar tha se “ju kërkoni të ktheni orën e historisë pas, ku pakica mund të marrë peng shumicën ose mund t’i  imponohet asaj jo me argumente po me patos, me sulme dhe me përgjithësime. Të dyja këto janë fatale sepse në fund rezultojnë në hiç”.

Spiropali tha se opozita jashtëparlamentare kërkon të bëjë pazar dhe të mbajë sistemin e vjetër të drejtësisë.

“Konkretisht, opozita jashtëparlamentare pretendon se kundërshton Reformën Zgjedhore për dy arsye. Në fakt është duke bërë pazarin e radhës. Kundërshton se nuk do depolitizimin e administrimit zgjedhorë nga kreu në fund dhe e kundërshton sepse do që ata gjyqtarë që se kanë kaluar Vetingun apo janë përjashtuar nga Vetingu të futen në Kolegj Zgjedhor. Opozita jashtëparlamentarë do të mbajë në këmbë sistemin e vjetër të drejtësisë. Po ju  çfarë kërkoni? Për cilin sistem po flisni? Nuk keni dhënë kurrë një argument, jo vetëm  për meritat e këtij sistemi apo të atij të kaluar që kishim. Se dua t’ju kujtoj se edhe me atë sistemin që kishim më parë e dini mirë se çfarë deputetësh kishim në Kuvend. Herë bajraktarë, herë të fortë, herë agallarë, herë ata që ua nxirrnin votat nga hundët njerëzve. Mos hajde këtu e thoni se ky sistem ka kthyer përmbys sistemin e demokracisë në Shqipëri. Ne kemi vullnetin për të depolitizuar sistemin zgjedhor që njerëzit që administrojnë  komisionet apo të numërojnë votat të jenë të depolitizuar, të jenë të  trajnuar, t’i përgjigjen vetëm ligjit dhe të zgjidhen me short dhe me rotacion. Jeni ju për këtë?”, tha ajo.

Spiropali shtoi se ne nga ana tjetër jemi që në Kolegj Zgjedhor të jenë vetëm gjykatësit që kanë  kaluar Vetingun për të mos u kthyer mbrapa te sistemi ku ata jo vetëm bëjnë  lëmsh zgjedhjet dhe prishin standardin por edhe mbrojnë veten e tyre.

Duke iu përgjigjur Hajdarit për Teatrin Kobëtar, Sipropali tha se “Nga ana tjetër përsa i përket çështjes së Teatrit zonja  Hajdari ja ku bashkoheni ju me ata. Ata nuk janë politikanë, as korifenj të  artit. Ata janë politikanë teatral ku gjithë jetën janë tallur jo vetëm me vendin por dhe me veten dhe vendimet që kanë dhënë. Të jeni të sigurtë që Teatri Kombëtar i Shqipërisë do ngrihet aty, më i mirë më i bukur, më i fortë dhe më dinjitoz se kurrë. Nuk kemi patur teatër, kanë qenë ca trushpërlarë aty që e mbajnë vetën për korifenj, jo artistët. Aty shumica 95% e aktorëve që i kanë dhënë shpirt asaj skenë do vazhdojnë të jetojnë aty përmes artit në një skenë dinjitoze. Shqipëri ka nevojë për një teatër të vërtetë kombëtar”.

“Ata po duan të bëjnë pazar për veten e tyre për sistemin për të vazhduar statuskuonë e partisë tyre. Ju po doni të mbijetoni në politikë po në të njëjtën mënyrë. Unë dua që ju personalisht dhe shumë të tjerë në këtë sallë të mbijetoni politiksht dhe pse jo të keni sukses të madh politik, por për këtë fajin nuk e ka mazhoranca por partia që ju ka nxjerrë tradhtarë, që ju ka përjashtuar dhe nuk ju jep asnjë shans të tregoni se bëtë gjënë e duhur. Ju qëndruat në sistem e mbajtët opozitarizmin dhe ju respektuat institucionet. Ata dolën në rrugë, ata ju nxorën ju, ata ju përjashtuan dhe ju shpallën tradhtarë”, tha ajo. /j.p/