ATSH- A. Fortuzi/- Distancimi fizik është i domosdoshëm dhe duhet të vazhojë të ruhet, pasi sëmundja nuk është larguar.
Mira Rakacolli, zv.ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, duke iu përgjigjur interesit të medieve, të hënën, bëri të ditur se spitalet COVID 3 dhe COVID 4, do të nisin të funksionojnë pasi të jenë plotësuar kapacitetet e spitaleve COVID 1 dhe COVID 2.
“Siç e thashë edhe në prononcim, distancimi fizik është i domosdoshëm, duhet të vazhdojë të ruhet. Nëse nuk do të kemi distancim fizik, sëmundja do të vijojë të përhapet. Nuk kemi thënë që sëmundja është larguar, përkundrazi! Hapja e masave, vlerësimi se sa efikase kanë qenë masat e distancimit fizik, do të duken pas dy javësh. Pasi, pas dy javësh, nëse nga mos respektimi i masave të distancimit fizik do të kemi rritje rastesh, ka mundësi të kemi dhe kthim pas. Prandaj, bëjë thirrje pavarësisht masave të lejuara, në ato vende, që vijon biznesi, të respketohen të gjitha masat e distancimit fizik, si dhe të higjenës personale dhe të ambientit”,-tha Rakacolli.
E pyetur për dy spitalet COVID 3 dhe COVID 4, zv.ministrja tha se “në skenarët që janë përgatitur, për përballjen në mënyrë spitalore të sëmundjes COVID 19 është parashikuar që do të mbushin kapacitetin spitalet COVID 1 dhe COVID 2 dhe më pas do të kalohet në spitalet COVID 3 dhe COVID 4”.
E pyetur nëse mund të quhet vatër e re, Institucioni i Vuajtjes së Vendimeve Penale “313”, ku janë regjistruar disa raste me COVID 19, Rakacolli tha se “në konceptin epidemiologjik vatër quhet atëherë kur kemi 2 persona të infektuar bashkë, që kanë lidhje epidemiologjike mes tyre”. /j.p/