TIRANË, 8 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama inspektoi sot punimet në stadiumin “Zeqir Ymeri” në Kukës, një qendër e re graviteti e zhvillimit social i një komuniteti.
“Jo vetëm një stadium i ri i denjë për sportdashësit e për skuadrën që lufton rregullisht për fronin kombëtar të futbollit, po edhe një qendër e re graviteti e zhvillimit social të një komuniteti, ku zotimet e mbajtura po rilindin shpresën tek e ardhmja, që do të marrë formë me projekte të mëtejshme të Rilindjes Urbane dhe Ekonomike të Kukësit e të krejt qarkut verilindor”, tha Rama.
Stadiumi “Zeqir Ymeri” në Kukës është një tjetër projekt i premtuar nga qeveria shqiptare, i cili po ndërtohet sipas parametrave të UEFA-s. Punimet për ndërtimin e tij kanë vijuar edhe gjatë kësaj periudhe pandemie.
Impianti i ri sportiv në veri të vendit, i cili parashikohet të përfundojë në fund të gushtit, do të ketë 8 mijë vende, ndërsa pjesë e tij do të jenë dhe ambientet akomoduese.
Në këtë stadium do të zhvillohen ndeshje ndërkombëtare, ndërkohë që është sipas standardeve më të mira i pajisur me një sallë konferencash për 80 persona, dhomën e delegatëve të UEFA-s me të gjitha standardet, dhomat e veshjeve etj./m.m/ /a.