ATSH – I. Vata/- Kryetari i bashkisë Kukës Safet Gjici në një prononcim për median e vuri theksin te strategjia për ta çliruar qytetin nga plehrat dhe nga borxhet me marrjen e mandatit.

“Që ditën e parë e gjetëm bashkinë në një rrëmuja nga ana institucionale, po ashtu e gjetëm në borxhe të akumuluara, 4.7 milionë euro. Kanë qenë detyrime të Sigurimeve Shoqërore që bashkia nuk i kishte paguar për punonjësit”, u shpreh Gjici.

“Ne kishim një plan se si do ta ndërtonim punën, pra kishim një strategji për të gjitha punët e bashkisë. Në radhë të parë filluam me pastrimin e qytetit, ku ishte bërë një qytet pa rregulla dhe mbytur nga plehrat. Drejtoria e Shërbimeve ka punuar pa pushim duke bërë pastrimin tërësor të qytetit bashkë me varrezat civile, pasi ishte krejt e papranueshme për institucionet e bashkisë të linin varrezat në atë gjendje”, tha ai.

“Për punën që është bërë në Kukës, flasin rezultatet”, tha Gjici duke shtuar se kemi qenë transparent me publikun për të informuar në çdo kohë qytetarët për punët dhe investimet që janë bërë nga bashkia.

“Ne kemi bërë investime të vogla me rregullimin e rrugëve dhe tregjeve. Ne i kemi patur të vogla financat por falë drejtorisë së taksave, ne jo vetëm të shlyem detyrimet  e prapambetura që kishin lënë drejtuesit e parë pa u dhënë kontraktuesve dhe investitorëve, por bëmë të mundur të nxirrnim mjete e bashkë me donatoret të rregullonim disa rrugë që ishin degraduar. Kemi vazhduar me mirëmbajtjen e lulishteve e të stolave, parqeve dhe pastrimin e qytetit në çdo cep të tij. Ne do të vazhdojmë të blejmë kosha mbeturinash për t’i vendosur në qytet”, tha ai.

Sipas Gjicit, Drejtoria e Urbanistikës ka bërë një sërë projekte dhe janë dorëzuar për investime. “Kukësin e gjetëm pa vizion dhe jo vetëm kaq. Ata e kishin shkatërruar Kukësin”, u shpreh ai, duke theksuar se me vizionin e pushtetit lokal dhe qeverisë qendrore u bë e mundur ndryshimi i Kukësit.

Gjici tha se koha ka qenë e papërshtatshme, pasi na goditi tërmeti dhe më pas COVID-19 dhe nuk mundëm të bëjmë më shumë.

Ai shtoi se në këtë periudhë pandemie “ne kemi ndihmuar 4500 familje në nevojë dhe do vazhdojmë të mbështesim deri kur kjo luftë të ketë mbaruar”. /j.p/