ATSH/ Subjektet apo individët, të cilët konsiderojnë se mund të jenë përfitues të bonusit prej 40 mijë lekësh akorduar si ndihmë financiare nga qeveria, por kërkesa e tyre është refuzuar apo nuk i është dhënë mundësia për të aplikuar, mund të paraqesin formularin e ankesës, përmes kanaleve të komunikimit, të vëna në dispozicion nga Drejtoria e Përgjjthshme e Tatimeve.
Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj bëri të ditur se janë miratuar dy formate, një për subjektet dhe një për individët.
Subjektet, mund të ngarkojnë formatin nr, 1 të ankesës, të plotësuar, në e-filing, menuja çështjet e mia – pyetje e Përgjithshme.
“Tatimpaguesi në ankesën e tij duhet të shprehë qartazi problematikën si dhe të vendosë ID e punonjësve për të cilët pretendon se nuk janë përfshirë në Kërkesën për ndihmë financiare 2, të paraplotësuar me të dhënat e individëve potencialisht përfitues”, shprehet Ibrahimaj.
Ndërkohë individët, mund të dërgojnë formatin nr. 2, të plotësuar, në adresën e dedikuar të emailit: efiling.info@tatime.gov.al
“Është e rëndësishme që ankesa e dërguar nga individët duhet të përmbajë NIPT e subjektit në të cilin është i punësuar dhe ka aplikuar, NID përkatës të individit si dhe të dhëna të tjera të kërkuara në formular”, deklaroi Ibrahimaj.
Sipas saj, në këtë periudhë të situatës së emergjencës së krijuar mga COVID-19, trajtimi i çdo ankese të paraqitur nga çdo individ apo subjekt, në lidhje me përfitimin e ndihmës financiare, mbështetje e Qeverisë Shqiptare, është prioritet i Administratës Tatimore.
Në faqen e Administratës Tatimore paraqiten edhe dy formularët për aplikim.