Viti 2022 ka qenë shumë i mirë për turizmin shqiptar. Sipas të dhënave të ofruara nga Banka e Shqipërisë, bilanci neto i udhëtimeve i cili mat diferencën mes shpenzimeve të të huajve në Shqipëri dhe të shqiptarëve jashtë ishte pozitiv, prej 1.07 miliardë eurosh.

Ky është një rekord historik, që prej vitit 2008, kur banka e Shqipërisë raporton të dhënat.

Gjithnjë sipas këtyre të dhënave, shpenzimet e të huajve për udhëtime në vitin 2022 arritën një rekord prej 2.84 miliardë eurosh.

Fluksi kryesor i turistëve që prenotojnë në hotele erdhi nga Europa e Lindjes, si Polonia, Çekia, vendet nordike, Gjermania etj. Edhe për italianët Shqipëria u kthye në një vend të preferuar.

Të dhënat e tjera të INSTAT tregojnë së në vitin 2022 hyrjet e të huajve arritën një rekord prej 7.5 milionë shtetasish, me një rritje prej 32.6% në krahasim me 2021-n, dhe 17% më shumë sesa në 2019-n, që deri tani kishte qenë viti më i mirë turistik.

Kjo reflektohet dhe në rritjen e të shpenzimeve të të huajve në Shqipëri me 36.3%, në krahasim me vitin 2019, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë.

Nga ana e tyre edhe shqiptarët nuk janë kursyer në udhëtimet që kanë bërë jashtë vendit.

Sipas Bankës së Shqipërisë, shpenzimet e tyre në udhëtimet jashtë arritën në 1.77 miliardë euro, duke shënuar sërish një rekord, që nga viti 2008, kur raportohen të dhënat.

Sipas INSTAT, Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga Shqipëria në vitin 2022 është 5.882.007 duke u rritur 40,4%, krahasuar me vitin e mëparshëm.

/ rtsh.al /