ATSH-ANSA/ – Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan u ka propozuar homologëve të tij rus dhe ukrainas, që të shërbejë si ndërmjetësues mes dy vendeve të përfshira prej kohësh në konflikt, deklaroi Ibrahim Kalin, zëdhënës i presidentit Erdogan.
”Turqia është e gatshme të luajë çdo rol që i shërben uljes së tensioneve mes Rusisë dhe Ukrainës”, deklaroi zëdhënësi.
”Erdogan është duke zhvilluar negociata me presidentin rus Putin dhe atë ukrainas Zelensky. Ai po planifikon gjithashtu një vizitë në javët e ardhshme në Ukrainë”, theksoi Kalin.
Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë paralajmëroi për një sulm të afërt të Rusisë ndaj Ukrainës dhe paralajmëroi pasoja të rënda ekonomike për Moskën në rast të një agresioni të tillë.
“Tani jemi në një fazë ku Rusia në çdo moment mund të nisë një sulm në Ukrainë”, u tha gazetarëve në një konferencë për media zëdhënësja, Jen Psaki.
Ajo tha se ishte presidenti rus Vladimir Putin ai që shkaktoi krizën duke grumbulluar 100 mijë trupa ruse përgjatë kufijve të Ukrainës dhe duke lëvizur forcat në Bjellorusi për manovra të përbashkëta si dhe duke kryer stërvitje shtesë në kufirin lindor të Ukrainës./ /os/