Numri i emigrantëve të mbytur dhe të zhdukur në ujërat e Mesdheut është rritur në 1200 persona në gjysmën e parë të këtij viti, sipas të dhënave të Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët UNHCR.

Veç tyre, dhjetëra njerëz rezultojnë të zhdukur që prej së mërkurës së kësaj jave, pasi një varkë u fundos në jug të ishullit gret të Rodosit, deklaroi sot zyra e UNHCR-së në Athinë.

Një varkë me gjatësi 15 metra dhe e mbushur me emigrantë të paligjshëm nisi të fuste ujë dhe për pasojë u fundos dy ditë më parë.

Deri tani janë shpëtuar 34 persona, 29 prej tyre u shpëtuan nga rojat bregdetare greke dhe pesë të tjerë nga rojat turke, bëri të ditur UNHCR-ja.

Në kushtet kur personat e shpëtuar kanë dhënë informacione kontradiktore lidhur me numrin e njerëzve në varkë, mendohet se shumica e tyre janë mbytur.

Sipas të mbijetuarve, varka transportonte të paktën 60 deri në 80 persona, që u nisën për lundrim nga një port i vogël pranë qytetit turk të Antalias.