Njerëzit që konsumojnë një regjim ushqimor mesdhetar vuajnë më pak nga sëmundjet kardiovaskulare.

Ekspertët besojnë se çelësi i suksesit të këtij regjimi ushqimor është pikërisht vaji i ullirit.

Ky vaj përmban fenolë të cilët janë tepër efikasë në hollimin e gjakut dhe parandalimin e mpiksjes së tij.

Bllokimi i enëve të gjakut konsiderohet një faktor i lartë rreziku për atakun në zemër dhe isheminë.

Fenolët tek vaji i ullirit luajnë edhe rolin e antioksidantëve të cilët ulin rrezikun e sëmundjeve kronike.

Përfitime Të Tjera Të Vajit Të Ullirit

Studimet shkencore mbi këtë çështje, të cilave u referohet AgroWeb.org  tregojnë se vaji i ullirit ka aftësinë të:

Përmirësojë tensionin e gjakut dhe nivelin e lipideve,

Parandalojë diabetin e tipit 2 dhe të mbajë nën kontroll nivelin e sheqerit në gjak tek diabetikët,

Ulë rrezikun e mpiksjes së gjakut që shkakton atak të papritur në zemër,

Të ulë rrezikun e sëmundjeve tumorale

Vaji I Ullirit, Një Zgjedhje E Zgjuar Dhe E Shëndetshme

Vaji i ullirit është gjithmonë një zgjedhje e shëndetshme për konsumatorin për dy arsye.

Profili I Yndyrnave Të Vajit Të Ullirit

Vaji i ullirit përbëhet kryesisht nga yndyrna mono-të-pangopura e të shëndetshme.

Ky profil është i dobishëm për uljen e nivelit të kolesterolit.

Kësisoj ju mund ta përdorni vajin e ullirit për të zëvendësuar ushqime si gjalpi dhe yndyrnat e tjera.

Mikroushqyesit

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, vaji ekstra i virgjër i ullirit përmban  mbi 230 përbërës bioaktivë tepër të rëndësishëm për organizmin.

Këtu përfshihen edhe antioksidantët, vitamina E dhe polifenolët.

Si Të Ruani Vajin Më Të Mirë Të Ullirit

Mënyra se si blini dhe ruani vajin e ullirit është e rëndësishme për të korrur përfitimet maksimale prej tij.

Nxehtësia, drita dhe oksigjeni jo vetëm që e degradojnë shijen dhe aromën e tij por edhe vlerat shëndetësore.

Për rezultate më të mira ju duhet:

Ta mbani vajin e ullirit në shishe qelqi, në errësirë dhe në një vend të freskët, por jo në raftet që ndodhen sipër furrës.

Të blini shishet të renditura sa më thellë në raftet e supermarketeve.

Të lexoni etiketat dhe të kuptoni periudhën e ekspozimit të vajit ndaj faktorëve denigrues.

Kohëzgjatja ideale e vajit të mirë është 12 muaj.

Kura më e mirë është një lugë vaj ulliri në mëngjes. /AgroWeb.org