ATSH/Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion  Veliaj përmes një komunikimi online theksoi se godina e Teatrit nuk mund të rikonstruktohej si teatër bashkëkohor.

Në një prezantim të detajuar për Këshillin Bashkiak lidhur me projektin e Teatrit të ri Kombëtar, Veliaj sqaroi se ndërtesa ekzistuese nuk ka përmasat e duhura për të patur  prapaskenë të standardeve të nevojshme, ndërsa shtoi se për shkak të ndërtimit  prej tallashi dhe fijesh shkrepëse nuk ofronte as edhe një kusht sigurie.

“Teatri i vjetër nuk mund të rikonstruktohej si një teatër bashkëkohor. Ndërtesa ekzistuese nuk i ka përmasat, ajo që kishim deri dje nuk i kishte përmasat e duhura për të pasur anë skene, xhepat e skenës që quhen në zhargonin e teatrit apo prapaskenë të standardeve të nevojshme. Pra, aty kishte pasur shtesa, siç e patë edhe në materialet që u prishën, aty kishte tallash, shkrepëse të presuara me alga, tavani ishte i gjithi një teneqe e llamarinë, pra me shtesat dhe me arnat që kishte pasur ndër vite nuk kishte më hapësirë ku mund të shkohej më pas apo ku mund të zgjerohej më anash për xhepat e skenës ku futen të gjithë ato rekuizitat e skenografi. Nuk mund të rikosntruktohej edhe nëse dëshira e shumicës do ishte kjo, nuk ekziston më sot ajo teknologji e tallashit të presuar. A po, ekziston në disa vende të Afrikës ku tallashi përzihet me baltë por këtu nuk po flasim për të ndërtuar kasolle për artistët, po flasim a mund të rikonstruktohej me teknologjinë e sotme diçka aq primitive dhe e degraduar siç dukej përditë faqja midis ndërtesës së Asiçurazione Generale që sot është ndërtesa e Ministrisë së Transportit e Energjisë, totalisht e rikonstruktuar sepse që në fillim ishte me material solide, beton dhe çelik dhe siç e patë nga skena e djeshme , nuk gjetëm një gram beton , nuk gjetëm një shufër çeliku që të mund të përballonte më shumë ngarkesa apo shtesa të kësaj natyre”, deklaroi Veliaj.

Sipas tij,  godina në çdo rast duhej të hidhej poshtë e gjitha dhe të rindërtohej.

Veliaj nënvizoi se ndryshe nga rasti i stadiumit kombëtar ku u ruajt çdo gur i hyrjes monumentale, në rastin e teatrit nuk mund të listoheshin dhe të ruhej copa tallashi e fije shkrepësesh. z.tosklu/