ATSH/Teatri do të jetë në pronën e vet, do të jetë 6-herë më i madh dhe do të ketë të gjithë teknologjinë moderne që kërkuan artistë, përfshi edhe skenën ultramoderne me rotativë.
I projektuar sipas konceptit të Bjarke Engels, një prej arkitektëve më të mirë në botë, godina e re do të ketë për herë të parë jo një, por disa skena ku artistët do të vënë shfaqjet e tyre para publikut. “Patëm një votim unanim me 60 vota për ecjen përpara të qytetit tonë. Njerëzit janë zgjedhur për të marrë vendime të vështira. Nëse do të kishin qenë të lehta do i kishin marrë të tjerët para nesh, Basha. Nuk është e lehtë të zgjohesh në mëngjes me mallkime. Ishte një vendim i vështirë, por i drejtë.
Në terma të përgjithshëm bëhet fjalë për një teatër 8930 m2, pra janë trefish krahasuar me ekzistuesin dhe gjashtëfish nga ajo që ishte në hipotekë”, theksoi Veliaj.
Auditori kryesor do të ketë 650 vende në një hapësirë gjigante prej 750 m2, ndërkohë që vetëm skena gjigante do të jetë 630 m 2 e përshtatshme për të gjithë veprat artistike. Ky projekt plotëson edhe ëndrrën e kahershme të aktorëve për ambiente ndihmësve. Në vend të kutive prej kartoni apo dollapëve plot myk, në dispozicion të aktorëve si ambiente ndihmëse do të jenë 520 m 2, ndërkohë që 1800 m 2 do të shërbejnë si ambiente ndihmëse për skenën.
E konceptuar të jetë edhe si zemra kulturore e Tiranës dhe e gjithë Shqipërisë dhe e dedikuar vetëm për art, godina e projektit të Teatrit të Ri ofron edhe dy salla Balc Box me 150 vende dhe 350 vende duke I dhënë shansin grupeve të ndryshme artistike, mes tyre edhe të rinjve, që të ngjisin në skenë veprat e tyre. Falë një arkitekturë me dizajn modern, Teatri do të ketë edhe një auditor të hapur në tarracë për në pranverë dhe verë me 380 vende, duke krijuar një hapësirë unike në qytetin e Tiranës, me të gjitha kushtet e nevojshme për realizimin e shfaqjeve teatrore.
Godina e re do të ketë edhe depo për ruajtjen Brenda të gjithë standardeve të materialeve të Teatrit, zyra administrative, hapësira teknike etj. Teatri do të ketë të inkorporuar edhe një hapësirë publike, ku do të jetë recepsioni për të dhënë informacione për artdashësit, ambiente të tjera ndihmëse si dhe katering që mund të shfrytëzohet nga aktorët gjatë provave apo publiku para apo pas shfaqjeve që do të jepen. z.tosku/ /a.g/