Konkursi “Fjala artistike”, përfundoi me sukses në Bashkinë e Elbasanit. Një bashkëpunim i suksesshëm i Bashkisë, Zyrës Arsimore dhe Qendrës së Artit. Konkursi mes 21 shkollave të mesme të qytetit e fshatit, nisi dhe u mbyll në mjedise të hapura të kompleksit “Skampini”, në Kala, duke respektuar distancimin social, për shkak të Pandemisë. Në fazën e parë konkuruan rreth 250 nxënës, për tu përzgjedhur rreth 80, që konkuruan në katër netët e këtij konkursi. Në natën finale, janë përzgjedhur 25 më të mirët.

Grupi përgatitor, i përbërë nga Mario Elezi, aktor, Elona Mamo, aktore dhe Besim Dybeli, gazetar dhe Përgjegjës i Zyrës së Medias në Bashki, kanë ndjekur me profesionalizëm e përgjegjësi tërë fazën përzgjedhese të këtij konkursi në të gjitha shkollat, për të sjellë në netët konkuruese nxënësit më të mirë. Në secilën prej netëve konkuruese, janë prezantuar me botimet më të fundit, poetët e shkrimtarët, Frrok Çupi, Fatmir Musaj, Aleksandër Çipa, (in-memorie), Moikom Zeqo, Besim Dybeli, Xhenisa Çota, Preç Zogaj e Rudolf Marku.

Juria e këtij konkursi përbëhej nga: – Dhimitër Orgocka , nga qyteti i Korçës, aktor dhe regjisor prej më se katër dekadash, “Artist i Popullit”. Aleksandër Çipa, nga Tirana , gazetar dhe poet. Eduart Çala, aktor karriere dhe regjisor në teatrin “Sampa”. Anila Çota, mësuese e merituar, drejtoreshë e Zyrës Arsimore në Elbasan dhe Kliton Kapaj, drejtor i Qendrës së Artit, Elbasan. Menaxhimi i aktivitetit iu besua shoqatës “RessEgnatia”, me drejtues, Xhimi Vila. Në njërën prej netëve të konkurimit, vetë kryebashkiaku, Gledian Llatja, ndërsa në natën finale do të përshëndeste nënkryetarja, Vesa Llanaj.

Në përfundnim, Juria do të jepte këto çmime:

Vendi i Parë, shkolla e mesme “Ahmet Dakli”, vend i Dytë, shkolla “Mahir Domi” dhe vendi i tretë, shkolla e mesme, Kuqan.

Ndërsa çmimet individuale u përkasin nxënësve : – Çmimi i Parë: Fatjona Proi, “Ahmet Dakli”, çmimi i Dytë, Sindi Duka, “Ahmet Dakli”, çmimi i Dytë, Erli Fortuzi, “Onufri”, çmimi i Tretë, Erin Berberi, “Liria”, çmimi i Tretë, Xheraldina Sharku&Luis Gjolena, “Kostandin Kristoforidhi”, çmimi i Tretë, Gloria Lleshanaku , “Vasil Kamami”.

Kjo veprimtari nxori në pah se të rinjtë e dashurojnë artin dhe letersinë, si dhe u shfaqën jo pak talente të reja në fushën e interpretimit. I gjithë aktiviteti u moderua nga gazetaria, Arjola Tashi e “Tv Skampa”, ndërkohë që kjo media ka bërë një regjistrim të plotë të konkursit.

Besim Dybeli