Vetëm pak ditë pasi u ngjall shpresa dhe nisi vaksinimi i Covid-19, një variant i ri i tij edhe më përhapës është shfaqur.

Mbretëria e Bashkuar, ku edhe është zbuluar varianti i ri, ka vendosur masa të ashpra izolimi dhe ka lëshuar urdhra për qëndrim në shtëpi, ndërsa shumë vende të tjera i kanë ndaluar fluturimet me këtë shtet.

Sa më shpejt po përhapet?

Ajo u zbulua për herë të parë në shtator. Në nëntor, rreth një e katërta e rasteve në Londër ishin varianti i ri. Kjo arriti gati dy të tretat e rasteve në mes të dhjetorit.

Çfarë dimë për variantin e ri?

Të gjitha viruset dhe koronaviruset bëjnë mutacione gjatë gjithë kohës. Koronavirusi që është zbuluar për herë të parë në Wuhan të Kinës, nuk është i njëjti që qarkullon në të gjithë botën.

Mutacioni D614G është shfaqur në Evropë në muajin shkurt dhe është bërë forma mbizotëruese e virusit.

Nga ka ardhur varianti i ri?

Varianti ka krijuar mutacion të madh dhe shpjegimi më i mundshëm është se ai është shfaqur te ndonjë pacient me sistem të dobësuar imunitar, që nuk ka qenë në gjendje ta mposhtë virusin.

A e bën infeksionin më vdekjeprurës?

Nuk ka asnjë provë që sugjeron se po, edhe pse kjo do të duhet të monitorohet.

Megjithatë, rritja e transmetimit mund të jetë e mjaftueshme për të shkaktuar probleme për spitalet. Nëse varianti i ri do të thotë që më shumë njerëz infektohen për kohë më të shkurtër, kjo do të çojë në më shumë njerëz që kanë nevojë për trajtim spitalor.

A do të funksionojë vaksina kundër variantit të ri

Me siguri që po, ose së paku tani. Të tria vaksinat kryesore tani për tani zhvillojnë përgjigje imune kundër koronavirusit.

Vaksinat e trajnojnë sistemin imunitar për të sulmuar disa pjesë të ndryshme të virusit. Edhe pse një pjesë ka krijuar mutacion, vaksinat funksionojnë.