Ambasadorët më të mirë të vendit tonë jashtë vendit në të shumtën e rasteve janë sportistët, me performancat e tyre në arenën ndërkombëtare.
Një rast i tillë është edhe ai i gjyqtarit elbasanas, Enea Jorgji, i cili javën e kaluar vuri drejtësi në sfidën midis Ferencvarosh dhe Monakos. Ndërkombëtari mori një notë pozitive nga UEFA, e cila i besoi një ndeshje të rëndësishme. Jorgji, në një rrëfim ekskluziv për TV Skampa tregon emocionet që përjetoi në këto nivele.
Jorgji e pranon që është risi që shqiptarët të arbitrojnë në të tilla nivele, por duket se emocionet fillestare për të i kanë kaluar, edhe për shkak se kjo ishte e disata ndeshje që vinte drejtësi në këto nivele.
Teksa flet për synimet në të ardhmen, edhe në nivele më të larta, Jorgji qëndron me këmbë në tokë, por sipas tij, me punë dhe përkushtim mund të arrihet gjithçka. Ai mendon gjithnjë për ndeshjen e radhës.
Jorgji është sinonim i të rinjve që kanë ecur pëprara vetëm në sajë të punës, ndaj besimi që i ka dhënë UEFA nuk është rastësor.
Në dhjetor të vitit kaluar ai hyri në histori si arbitri i parë shqiptar që u bë pjesë e kategorisë së parë me një vendim të Komitetit të Arbitrave të UEFA-s.
Edlira XHERRI