TIRANË, 24 qershor/ATSH/Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se një 34 vjeçare nga Librazhdi e cila vuante nga insuficenca renale kronike, diabeti, hipertensioni, e konfirmuar me COVID-19 ka humbur jetën mëngjesin e sotëm.

Ajo ishte e shtruar në shërbimin infektiv prej disa ditësh, në gjendje të rëndë dhe e intubuar, e pavarësisht përkujdesjes së mjekëve nuk ka mundur të mbijetojë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i ka shprehur ngushëllimet familjarëve të të ndjerës. Qytetarëve u është përsëritur edhe njeherë thirrja për kujdes dhe respektim të rregullave ndaj COVID-19.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet të gjithë subjekteve të respektojnë protokollin e sigurisë. Ndërmarrjeve, institucioneve, subjekteve me shumë punonjës: Kryeni çdo ditë vlerësimin temperaturës si dhe vlerësoni prezencën e simptomave të COVID-19 në personat e punësuar dhe të kujtdo që hyn apo del në ambientet e punës. Personat me temperaturë apo me simptoma duhet të rikthehen në shtëpi dhe të kryhet komunikimi me strukturat shëndetësore. Siguroni vazhdimisht elementet higjenizues e pastrues si sapun, letër për pastrimin e duarve, dezinfektantë. Mbani maskën mbrojtëse duke mbuluar hundën dhe gojën. Siguroni ajrosjen e mirë dhe dezinfektimin e ambjenteve si dhe larje para hapjes dhe pas mbylljes së tij”.

“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet qytetarëve të shmangin vendet me grumbullime, të respektoni distancën, dhe kurdo kur kjo nuk është e mundur, përdorni maskë. Kontaktoni nëpërmjet linjës së gjelbër 0800 40 40 me mjekun e familjes, nëse nuk është e domosdoshme evitoni kontaktin me institucionet shëndetësore. Nëse dyshoni se jeni të prekur duhet të qëndroni të izoluar dhe telefononi në numrin e Urgjencës Kombëtare, 127”, tha Marjeta Dervishi, eksperte pranë Institutit të Shëndetit Publik.

ATSH