Myftinia Elbasan njofton me krenari se Xhamia Ballie, një nga veprat më të spikatura të arkitekturës fetare bashkëkohore, është përzgjedhur si një nga 5 objektet më të bukura të kultit në botë dhe tashmë ka hyrë në garën finale për çmimin prestigjioz “Ndërtesa e Vitit 2025” nga ArchDaily!
ArchDaily është platforma më e madhe digjitale në botë për arkitekturën bashkëkohore, duke vlerësuar projekte që ndikojnë në zhvillimin e hapësirave urbane dhe arkitekturës në nivel global. Çdo vit, ky çmim prestigjioz përzgjedh ndërtesat më domethënëse që shfaqin kreativitet, funksionalitet dhe një qasje të re ndaj dizajnit dhe mjedisit.
E ndodhur në qytetin historik të Elbasanit, Xhamia Ballie në administrimin e Myftinisë Elbasan përfaqëson një harmoni mes trashëgimisë tradicionale dhe arkitekturës moderne. Projektuar nga Commonsense Studio, kjo xhami ka tërhequr vëmendje ndërkombëtare për estetikën e saj unike, përdorimin e dritës natyrore dhe përshtatjen e saj me mjedisin përreth.
Ky projekt është realizuar me mbështetjen e familjes së nderuar Alshai nga shteti i Kuvajtit duke dëshmuar përkushtimin ndaj ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore të Shqipërisë.
Hyrja në garën finale e vendos Xhaminë Ballie përballë objekteve më të rëndësishme të kultit në botë, duke e bërë atë një nga ndërtimet më të spikatura në arkitekturën fetare moderne dhe një simbol të qytetit të Elbasanit.
Një arritje e madhe për Shqipërinë, Elbasanin dhe arkitekturën tonë bashkëkohore!