TIRANË, 23 qershor/ATSH/ – Policia ka zbardhur sot vrasjen e dyfishtë të ndodhur në Kurbin, në orët e mbrëmjes së datës 30 maj, duke arrestuar autorin e ngjarjes si dhe 2 mjekë që po e mjekonin ilegalisht.

Policia gjithashtu ka shpallur në kërkim tre persona të tjerë si bashkëpunëtor në vrasje.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Klinika” u kap në një klinikë private në Tiranë, shtetasi E. L., 30 vjeç, banues në Laç, i cili gjatë kryerjes së krimit ku mbetën të vrarë shtetasit B. H.,37 vjeç dhe P. Gj.,53 vjeç, si dhe u plagos shtetasi K. T., 21 vjeç, pati shkëmbim zjarri dhe për pasojë u plagos në këmbë edhe ky shtetas, i cili po mjekohej ilegalisht në një klinikë private në Tiranë.

Po gjatë operacionit u vunë në pranga dy shtetas, mjekë në klinikën në të cilën mjekohej autori i vrasjes, konkretisht shtetasit V. M., 42 vjeç dhe B. L, 46 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Vijon puna, nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, si dhe për kapjen dhe prangosjen e tre bashkëpunëtorëve të shpallur në kërkim.