Në hapësirën gjeografike ku shtrihet bashkia e Librazhdit ndodhen disa shpella, por ndër më të famshmen ndër to, librazhdasit përmendin “Shpellën e Plakës”, e cila ndodhet shumë pranë rrugës së famshme “Egnatia”, aty ku përroi i “Gurrës së Zezë” ndan mes tyre fshatin Xhyrë nga fshati Dardhë. Kjo shpellë ndodhet disa qindra metra mbi nivelin e detit dhe rruga për të shkuar aty nga “Egnatia” deri pak javë më parë ka qenë jashtëzakonisht e vështirë dhe për këtë arsye ajo ka qenë pothuajse e pa eksploruar.

Kjo shpellë sipas banorëve të Xhyrës mban të ruajtura të fshehtat dhe misteret e saj prej mijëra vitesh dhe ende sot e kësaj dite qarkullojnë legjenda nga më të ndryshme rreth saj. Së fundi pas hapjes së këtij shtegu kanë vërshuar vizitorët drejt “Shpellës së Plakës”.

Duke vlerësuar bukuritë e shumta natyrore të Xhyrës, banorët e këtij fshati krahas promovimit që po u bëjnë kohë pas kohe atyre synojnë që duke e bërë të vizitueshme “Shpellën e Plakës”, të nxisin edhe më shumë zhvillimin e turizmit në fshatin e tyre. Në Shqipëri ka potenciale të pasura për zhvillimin e kësaj industrie fitimprurëse, por ende mjaft destinacione janë të fjetura, të përgjumura ose të pashfrytëzuara. Murat Laçka, mjek veteriner i fshatit Xhyrë, tregon se ku fshat ka potenciale të shumta për zhvillimin e turizmit. Ai ka kontribuar së bashku me dhjetra bashkëfshatarë të tij në hapjen e shtegut që të çon te “Shpella e Plakës” dhe shpjegon se emrin kjo shpellë e ka marrë nga Legjenda.

Ndërsa të apasionuarit pas turizmit shprehen se mrekulli të tilla ja vlen të promovohen e vizitohen nga të gjithë. Sipas Artur Gunit, Drejtues i “Albanian Sport & Tourism AST”, rritja e atraktivitetit të turizmit të shpellave në Shqipëri mund të ndikojë edhe në uljen e shkallës së varfërisë në komunitetet lokale.

Përpjekja e komunitetit të Xhyrës për promovimin e monumenteve të natyrës, monumenteve arkeologjike, të florës, faunës, të kulinarisë, të burimeve ujore, të historisë, traditave, kulturës, zakoneve dhe gjithçkaje tjetër që nxit dhe zhvillon turizmin e kësaj zone është mjaft e bukur në çdo aspekt.