ATSH/  Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, deklaroi sot se zgjedhjet në 30 korrik do të mbahen me kërkesë të universiteteve.

Në një deklaratë për shtyp, Shahini tha se “duhet legjitimitet në udhëheqjen e universiteteve”.

“Roli i ministrit në zgjedhjet e datave është plotësisht nominal. Më pas për zgjedhjet e tjera janë universitet. Kam menduar që të jetë e njëjta ditë për të gjithë universitetet. U shtynë datat në fillim për shkak të pandemisë dhe shkoi deri këtu sepse rektorët ishin të paqartë”, sqaroi Shahini.

Ministrja Shahini bëri të ditur se, “dy javët e fundit kam patur shumë takime. Ne i shqyrtuam të gjithë datat e mundshme, vjeshta po duket e paqartë, kështu që u pa e arsyeshme të zhvillohen në datën 30 korrik”.

Më tej Shahini u shpreh se “me urdhrin e parë që kemi nxjerrë në janar kemi kërkuar që të bëhet kontrolli antiplagjaturë për diplomat”.

Dy ditë më parë ministrja Shahini bëri të ditur se “zgjedhjet në universitete do të zhvillohen më 30 korrik”.

Ajo ftoi studentët të ushtrojnë të drejtën e tyre për përfaqësim në strukturat drejtuese të universiteteve ku studiojnë.

“Sot më shumë së kurrë, IAL-të duhen udhëhequr nga akademikë me integritet, të cilët kontribuojnë edhe me pjesën e tyre shumë të rëndësishme në jetësimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të Paktit për Universitetin”, – tha Shahini./k.s//a.a/