/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “besoj që ne na takon si forca më e madhe politike, por edhe si një forcë që ka përgjegjësinë të shikojë përtej interesave të saj që të përpiqemi deri në fund të krijojmë një konsensus ku mbase çdo pale i duhet të pajtohet me faktin se nuk mund të marrë gjithçka”.

Në fjalën e tij në Kuvend, Rama tha se “për sa më takon dhe sa na takon jemi përpjekur gjatë gjithë kësaj kohe që ta shprehim respektin për nevojën e konsensusit duke mos ndarë ata që janë jashtë nga ju që jeni këtu brenda. Duke mos i konsideruar ata që janë jashtë si zotërues të monopolit të opozitës dhe duke iu konsideruar ju që jeni brenda si një mbetje e përkohshme në këtë parlament, por si deputet legjitimë të këtij parlamenti, por edhe si opozita që sot ky parlament ka”.

“Natyrisht nuk do të ishte mbase e udhës që të shpjegoj se kjo qasje e jona nuk lidhet thjesht me faktin që ne nuk i kemi votat, pasi për të miratuar Kodin Zgjedhor dihet kërkohet një shumicë e cilësuar të cilën ne nuk e kemi në këtë Kuvend, por e sjell këtu këtë fakt për të nënvizuar atë që besoj ka qenë e qartë në vijën tonë të sjelljes jo vetëm në fjalët tona. Ne nuk do të kërkojmë rrugën e diversionit as aq më pak rrugën e aritmetikës sikundër për fat të keq edhe ju, jo tani, sot, por më parë por edhe kolegu juaj dhe zëdhënësi i fuqishëm i këtij ndryshimi që ju kërkoni Myslym Murrizi na kanë akuzuar se duam ta mbyllim këtë lojë apo këtë pazar siç e ka qejf ta quajë Myslymi të Damianit me Oerdin, nënkuptoni timin me Lulin, duke blerë vota”, – nënvizoi Rama.

Ndërkohë që, vijoi Rama, pa diskutim sot konsensusi nuk është dot produkt i shëndetshëm nëse shikohet si rezultat i një marrëveshjeje mes vetëm dy palëve, ndërkohë që në politikën shqiptare në këtë fazë janë tre palë.

“Pavarësisht se ju zonja Hajdari e keni firmosur marrëveshjen  mbi të cilën është ngritur pastaj puna e detajuar për atë që është sot në mos gabohem formalisht në tryezën e Komisionit të Ligjeve si  produkt për tu miratuar, Kodin Zgjedhor”, – theksoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “dua t’iu kujtoj juve se ata të tjerët nuk janë këtu dhe çuditërisht kanë një vetëndierje të habitshme që dërgojnë edhe ultimatume nga jashtë për çfarë duhet të bëjë Kuvendi që edhe PS ka të drejtën të thotë diçka”.

“Nuk jeni një pakicë e ndarë në dy pakica dhe vini e vetëm kërkoni, vini dhe i bini këmbës, për të marrë sipas jush atë që i duhet popullit, se në emër të popullit flisni të dyja palët,  ndërkohë që vullnetin e popullit në këtë parlament e përfaqësojmë ne si vullnet qeverisës dhe si vullnet udhëheqës i këtij vendi, se përfaqësoni as ju as ata. Dua të them se nuk është nevoja për të vazhduar me provokime qoftë nga jashtë qoftë nga brenda. Atyre jashtë u them s’keni asnjë tagër t’i jepni urdhra këtij Kuvendit”.

“Kryetarit të Kuvendit pashë se i është drejtuar një urdhër nga as më shumë e as më pak por sekretari i Përgjithshëm i forcave çlirimtare që janë jashtë parlamentit, por edhe unë jemi të zhgënjyer nga fjalitë e fundit që edhe ju zonja Hajdari keni firmosur bashke me Damian Gjiknurin dhe dy përfaqësuesit e tjerë  thuhet që Kuvendi duhet ta votojë atë marrëveshje pa asnjë ndryshim e pa kushte. Nuk di të ekzistojë në historinë e këtij planeti në të gjithë jetën demokratike ndonjë institucion tjetër përveç Gjykatës Kushtetuese, në raste të caktuara, që mund t’i diktojë Kuvendit një gjë apo një tjetër. Tani mblidheni ju 4 veta, në një vend shumë të nderuar, në një shtëpi të përbashkët  për shqiptarët, që është tokë amerikane dhe juridikisht dhe fusni një firmë atje dhe Kuvendi ta marr letrën tani dhe thjeshtë të votojë.”- u shpreh Rama.

/vijon/k.s/