ATSH/ Ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj njëherazi kandidat i PS-së, në zgjedhjet e 25 prillit, tha se “shenset që PS-së të marri votat e qytetarëve për mandatin e tretë të saj, janë të plota dhe të padiskutueshme, pasi në finale puna vlerësohet dhe Edi Rama e ka treguar se në ditë mira dhe të këqija është në krye të punëve”.
“Nuk ka më dilemë, kur vjen puna për të votuar punën, shqiptarët e dinë që Edi Rama është simboli i punës. Mandati i tretë për PS-në është për shqiptarët të konsolidojnë rrugën drejt BE-së. Me mandatin e tretë heqim çdo mundësi të zhbërjes së të gjitha refomave që kemi bërë që nga reforma në drejtësi, në arsim, shëndetësi etj “- tha ai.
Gjatë një takimi me gjyshërit e gjyshet e njësisë nr.4 Ahmetaj u shpreh se është shumë i emocionuar t’i shoh të ndihen të lehtësuar, të lirë, për shkak të vaksinimit masiv.
“Në vetëm dy ditët e para 20,414 të moshuar mbi 70 vjec kanë marrë vaksinën në të gjithë vendin”- tha Ahmetaj.
Sipas tij, ne kemi kontraktuar deri më tani 2 milionë e 147 mijë vaksina, që do të na bëjnë të mundur që deri në fillim të qershorit, gjysëm milioni qytetarë të kenë marrë vaksinën.
“Ndërkohë, programi i PS për mandatin e tretë ka një vëmendje të posaçme për të moshuarit, duke filluar me rritjen e pensioneve. Ne do ta kthejmë bonusin e solidaritetit të fundvitit në një politikë sociale permanente, e deri në fund të mandatit do ta kemi dyfishuar”- deklaroi ministri.
Ahmetaj tha se, “me një lëvizje që bëjmë me taksat duke zeruar taksimin për pagat 300-400 mjë lekë janë 433 mijë familjarë që do të paguajnë zero taksa. Gjithashtu zero taksa për biznesin e vogël se ne e konsiderojmë biznesin e vogël, familjen më produktive, burim kryesor për të ardhurat dhe punësimin në familje” .
Sipas tij, sot janë 104 mijë biznese të vogla, ndaj 32 mijë bizneseve të vogla që gjetëm në 2013. Ndërsa numri i të punësuarve në këtë sektor nga 52 mijë është rritur në sot në 151 mijë të punësuar dhe në total nga 439 mijë të punësuar që ishin në 2013, sot janë 700 mijë të punësuar.
“Ndërkohë që programi ynë synon zgjerimin e punësimit edhe me 150 mijë vende të reja pune”- tha Ahmetaj.