TIRANË, 27 qershor/ATSH-Arlinda Gjonaj/ Shqipëria arriti që të sigurojë një financim prej 650 milionë euro nëpërmjet emetimit të një Eurobondi në tregjet ndërkombëtare financiare, me një normë interesi të vendosur nga tregu në nivelin prej 3.625% (kupon i fiksuar prej 3.5%) dhe afat maturimi prej 7 vitesh.

Kjo është hera e katërt që Qeveria Shqiptare emeton një instrument në tregjet ndërkombëtare, dalje e cila ka dëshmuar një interesim dhe besim të shtuar të investitorëve ndaj instrumenteve të borxhit të vendit tonë.

Zëvendëministrja e Financave dhe Ekonomisë, Adela Xhemali në një intervistë për ATSH-në thotë se një pjesë e madhe e parave të siguruara përmes Eurobondit, do të mbështesin rimëkëmbjen ekonomike të vendit.

“Qeveria synon të përdorë fondet e këtij emetimi për të mbuluar nevojat buxhetore për financim, duke përfshirë edhe rimëkëmbjen ekonomike pas dy goditjeve të njëpasnjëshme si tërmeti i nëntorit 2019 dhe pandemia COVID-19”, shprehet Xhemali për ATSH.

Ndërkohë, thotë Xhemali, me një pjesë të fondeve rreth 250 milionë euro do të rifinancohet Eurobondi ekzistues, i emetuar në vitin 2015, i cili maturohet në vjeshtën e këtij viti.

Zv.ministrja thekson për ATSH se Qeveria është gati të vërë në lëvizje planin kombëtar “Shqipëria 2030”, për rimëkëmbjen dhe zhvillimin e ri ekonomik e social të Shqipërisë.

Investimet në infrastrukturë dhe energji do të jenë prioritare, ndërsa do të ndërmerren politika që mund të nxisin biznesin e vogël dhe të mesëm.

Biznesit të vogël përmes politikës fiskale të bërë publike deri tani që parashikon zerimin e tatimfitimit dhe rritjen e shkallës së TVSH-së që do të bëhet efektive prej janarit të 2021, i jepet mundësia për t’u rimëkëmbur në 10 vjet.

Për biznesin e mesëm është deklaruar se do të ngrihet një instrument që do të jetë kombinim i granteve me garancinë, me skema që mund të jenë më efektive edhe në përgatitje, por edhe në disbursim.

ATSH